Sport
Lushaku-Sadriu ashpër ndaj ministrit për Lojërat Mesdhetare: Ankesat dhe viktimizimi janë ikje nga detyrimi
Reklamë e Sponsorizuar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ministrit të Sportit, duke e bërë përgjegjës për ngecjet dhe vonesat që po shoqërojnë përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Ajo e ka cilësuar si shqetësuese qasjen e kreut të dikasterit të sportit, i cili, sipas saj, flet për dështimet e mundshme të këtij eventi ndërkombëtar me një ton sikur të ishte vëzhgues dhe jo vendimmarrës kryesor.
Sipas ligjvënëses së LDK-së, detyra e ministrit është të udhëheqë procesin e koordinimit, të sigurojë përmbushjen e detyrimeve institucionale dhe të gjejë zgjidhje të shpejta për çdo ngërç, duke vendosur afate të qarta.
“Veç me ankesa: faj ka Komuna e Prishtinës, faj kanë organizatorët, faj ka edhe gjeografia… Veç ministri përgjegjësi s’paska!”, është shprehur ajo në reagimin e saj.
Lushaku-Sadriu ka nënvizuar se institucioni, buxheti dhe mandati zyrtar janë në duart e ministrit, çka do të thotë se çdo përpjekje për t'ia faturuar fajin palëve të tjera përbën shmangie nga obligimet ligjore dhe morale.
“Viktimizimi nga karrigia e ministrit është ikje nga përgjegjësia”, ka shtuar tutje ajo.
Në përmbyllje, deputetja ka rikujtuar se Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë një shans historik për imazhin dhe zhvillimin e sportit kosovar, por sukses i tyre kërkon angazhim serioz dhe veprime konkrete e jo retorikë boshe.
“Me ankesat tuaja nuk ndërtohet asnjë palestër!”, ka përfunduar Lushaku-Sadriu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: