Politikë
Incidenti me vezë në Dublin, Rama reagon pas protestës së bashkatdhetarëve: Kjo është demokracia
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një prononcim lidhur me protestën e organizuar nga një grup emigrantësh shqiptarë në Dublin, ku u prit me hedhje vezësh dhe thirrje të ashpra kundër ekzekutivit gjatë largimit nga një prej ambienteve në kryeqytetin irlandez.
I pyetur nga gazetarët mbi këtë ngjarje, kreu i qeverisë u përpoq ta relativizonte incidentin, duke e konsideruar atë si një shprehje normale të një shoqërie të lirë, ndërkohë që theksoi se vizita e tij në Irlandë ka qenë e suksesshme dhe mikpritëse.
“Ky është një vend demokratik dhe qeveriset nga rregulla dhe ligje. Ajo që ndodhi është pjesë e një vendi demokratik dhe ka të bëjë me rregullat dhe ligjet. Ndihem shumë i mirëpritur në Irlandë. Pata një bisedë shumë të mirë në një institut studimor mjaft prestigjioz dhe, po, ishin rreth një duzinë vëllezërish dhe motrash që menduan të më prisnin në një mënyrë tjetër, por kjo është demokracia, çfarë të bëjmë!”, u shpreh Rama.
Tubimi i diasporës u zhvillua ndërkohë që kryeministri shqiptar ndodhej në Irlandë për një sërë takimesh zyrtare ndërkombëtare dhe aktivitetesh në kuadër të Komunitetit Politik Europian.
Gjatë këtij manifestimi, protestuesit lëshuan mesazhe të drejtpërdrejta drejt kreut të qeverisë, ku ndër thirrjet kryesore të dëgjuara spikatnin parullat “Kriminel, jep dorëheqjen!” dhe “Shqipëria nuk është në shitje!”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: