Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Kuvendi i hap rrugë Ligjit për Specialen, Vlora Çitaku premton ndryshimet brenda dy javësh

Redaksia Lajmetereja • 12-11-2026 11:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Kuvendi i hap rrugë Ligjit për Specialen, Vlora Çitaku premton ndryshimet brenda dy javësh
Kuvendi i Kosovës ka votuar me 79 vota pro përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky projektligj, i miratuar më 6 tetor në dy leximet, ishte kthyer sërish në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula me kërkesë të PDK-së. Kjo pikë u vendos si e fundit në rendin e ditës të seancës së sotme, pas kërkesës së ushtrueses së detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku. Gjatë prezantimit të kërkesës, ajo u kërkoi deputetëve që Ligji për Specialen të miratohet sot, ndërsa procedura e amendamentimit të tij të nisë menjëherë, duke propozuar një afatprej dy javësh për këtë proces. “Na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime që, ne besojmë, ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm dhe juridikisht më të qëndrueshëm nga kushdo që do ta kontestonte në fazat e mëtejshme. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm se do ta kushtojë politikisht, por për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund ta bëjë neve si parti politike. E kemi marrë me bindjen e plotë se mund të bëjmë ndryshime me të. Por, pas diskutimeve të shumta që kemi pasur me eksponentë të lartë të LVV-së dhe grupet parlamentare që e kanë mbështetur këtë ligj, ndonëse ka pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje ka pasur dakordim. Ju ftoj që këtë mocion ta miratojmë sot dhe ligjin ta miratojmë sot, ndërsa menjëherë të fillojmë procedurën e amendamentimit. Për të treguar seriozitet ndaj këtij procesi, t'i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht se të hënën do ta sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do t'i bëjmë ndryshimet e ligjit në fjalë”, u shpreh Çitaku. Mbështetje për përfshirjen e kësaj pike në rend të ditës shprehu edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci. Ajo deklaroi se LVV-ja kishte vlerësime se projektligji dhe mënyra e trajtimit të tij nuk përbënin rrugën e duhur, mirëpo vendosi ta mbështeste kërkesën e PDK-së, duke lënë hapësirë që çështja të diskutohej sërish. “Kemi biseduar edhe për faktin se ky projektligj dhe mënyra se si po adresohet nuk janë rruga e duhur. Por, duke qenë se PDK-ja ka besuar në këtë projektligj, ne i kemi dhënë mbështetjen tonë. Ne jemi dakord që të futet në rend të ditës dhe pastaj të diskutojmë përsëri”, theksoi Nagavci. Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, bëri të ditur se subjekti i saj politik ruan të njëjtin qëndrim për këtë ligj, njësoj si në kohën kur ishte propozuar për herë të parë. “LDK-ja e ka qëndrimin e njëjtë për këtë ligj, ashtu siç kemi deklaruar kur është propozuar për herë të parë”, tha ajo. Gjatë seancës pati edhe debate e përplasje mes Vlora Çitakut dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu. Çitaku kërkoi që kjo pikë të vendosej menjëherë pas pyetjeve parlamentare, por Haxhiu reagoi duke i bërë thirrje që të mos insistonte në ndryshimin e rendit të ditës. Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo pikë do të mbetej në fund të rendit të ditës dhe u bëri thirrje ligjvënësve që të mos paraqisnin kërkesa të tjera, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e lartë të kësaj çështjeje dhe diskutimet e gjata që e kanë shoqëruar atë. “Mos e prish, nënkryetare. Me mirëkuptim, mos e prish tani me këtë proces”, i reagoi Haxhiu Çitakut.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar