Aktuale
Formohet Paneli i Apelit për shqyrtimin e ankesave të ish-krerëve të UÇK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Dhomat e Specializuara kanë përcaktuar përbërjen e re të Panelit të Apelit, i cili do të marrë në shqyrtim ankesën e paraqitur nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trupi gjykues do të udhëhiqet nga Michele Picard nga Franca në cilësinë e kryetares, ndërsa anëtarë të këtij paneli janë caktuar gjyqtari Kai Ambos nga Gjermania dhe Nina Jorgensen nga Norvegjia.
Sa i përket biografisë profesionale të anëtarëve, gjykatësja Michele Picard shërben si gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që nga qershori i vitit 2013. Ajo ka mbajtur detyrën e gjykatëses në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë nga viti 2008 deri më 2013, ndërsa gjatë periudhës 2007–2008 ka qenë anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë. Po afrimisht në të njëjtën periudhë, nga 1996 deri më 2003, ajo ka kryesuar Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë. Më 2005, Picard u emërua eksperte e pavarur për gjendjen e të drejtave të njeriut në Uzbekistan, kurse angazhimet e saj përfshijnë edhe rolin e ekspertes për Këshillin e Evropës në projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me standardet evropiane për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ajo është diplomuar si juriste në Universitetin e Parisit dhe më 1992 ka përfunduar shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).
Nga ana e tij, gjykatësi Kai Ambos mban postin e drejtuesit të katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe është profesor i së drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe asaj penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani prej majit të vitit 2003. Prej vitit 2013, ai udhëheq si drejtor Qendrën Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në po këtë universitet. Ai ka shërbyer gjithashtu si avokat mbrojtjeje dhe konsulent pranë Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Që nga marsi i vitit 2006, Ambos ka ushtruar funksionin e gjykatësit të përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen, prej nga u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschweig) për vitin 2015. Studimet e larta për jurisprudencë dhe shkenca politike i ka kryer në universitetet e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau), Oksfordit dhe Mynihut. Ai ka kaluar provimin e parë shtetëror më 1990, të dytin më 1994, ka marrë gradën e doktorit më 1992 dhe është bërë ligjërues i autorizuar universiteti më 2001, të dyja tituj të fituar në Universitetin e Mynihut, ndërkohë që numërohet autor i mjaft botimeve në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare.
Ndërkaq, gjykatësja Nina H. B. Jorgensen ushtron detyrën e profesoreshës së të drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit që nga viti 2019, ku ka mbajtur edhe postin e zëvendësdekanes së Fakultetit Juridik për kërkim shkencor deri në vitin 2021. Më parë, ajo ka qenë profesoreshë dhe ndihmësprofesoreshë e drejtësisë në Universitetin Kinez të Hong Kongut gjatë viteve 2010–2018. Gjatë periudhës 2001–2010, Jorgensen ka mbajtur pozicione të rëndësishme në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, përfshirë atë të juristes së lartë për apele dhe këshilltares juridike në Zyrën e Prokurorit, si dhe ka qenë e angazhuar në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatën e Kamboxhias dhe në Tribunalët Penalë Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: