Politikë
Kusari-Lila: Konsensusi politik për presidentin dhe Ligjin për Specialen duhet të arrihet deri më 6 tetor
Reklamë e Sponsorizuar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka theksuar se tejkalimi i ngërçit politik në vend është plotësisht i arritshëm nëse shfaqet vullnet i sinqertë për kompromis dhe bashkëpunim mes subjekteve politike.
Duke diskutuar rreth skenarëve për një zgjidhje të jashtëzakonshme dhe nismës për një projektligj që adresohet te Dhomat e Specializuara të Kosovës, ajo ka bërë thirrje për maturi në hapat e ardhshëm, duke pasur parasysh afatet kohore kritike për zgjedhjen e kreut të shtetit dhe zhvillimet gjyqësore në Hagë.
“Mendoj se kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje. Megjithatë duhet pasur shumë kujdes që zgjidhjet të cilat lidhen me këto afate që rastësisht mund të jenë të ndërlidhura, do të thotë zgjedhja e presidentit edhe kërkesa e Partisë Demokratike, duhet të jenë të menduara mirë. Mos të harrojmë, afati për të apeluar aktgjykimin e tmerrshëm të Dhomave të Specializuara në Hagë është 30 ditë pas prezantimit apo publikimit, in fact ende se është publikuar në tërësi, por njoftimit për vendimin. Dhe 30-ditëshi përkundrejt 6 tetorit që është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, 30-ditëshi për dorëzimin e apelit është 16 tetori, pas të cilit janë edhe 60 ditë të tjera për t’u targetuar në tërësi lënda e prezantuar që vjen pas 10 vjetëve”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, veprimet e ngutshme duhet shmangur, ndërsa theksi kryesor duhet vendosur te synimi i përbashkët për t'i ikur një procesi zgjedhor të parakohshëm.
“Do të thotë ne duhet të kemi parasysh që në nguti dhe në këtë, si të thuash, ndërlidhje të këtyre afateve që po duken natyrshëm të ndërlidhura, por që është shumë e rëndësishme një gjë ta kemi të përbashkët. Dhe emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet”, u shpreh ajo.
Kusari-Lila ka shpjeguar se parandalimi i zgjedhjeve kërkon domosdoshmërisht një president të zgjedhur deri në datën 6 tetor, përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për një kandidat konsensual, e cila do t'i hapte rrugë edhe angazhimit të përbashkët për çështjet e ndjeshme të Dhomave të Specializuara.
E pyetur mbi mundësinë e ftesave të reja nga kryeministri Albin Kurti për krerët e opozitës, përfshirë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ajo ka sugjeruar që pyetja t'i drejtohet Zyrës së Kryeministrit, ndërsa ka garantuar se gatishmëria për dialog ka qenë dhe mbetet e pranishme.
“Për këtë drejtohuni Zyrës së Kryeministrit, por po, vullneti ka qenë, është dhe do të jetë edhe në të ardhmen. Përveçse me takime, me vendime të përbashkëta nuk ka zgjidhje tjetër. Do të thotë nuk ka mundësi tjetër të arritjes së pajtueshmërisë përveçse në takime të përbashkëta në mes të liderëve politikë”, përfundoi Kusari-Lila.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: