Sport
Egjipti shpall 35 organizata evropiane si terroriste, në listë edhe një fondacion nga Kosova
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtësia egjiptiane ka ndërmarrë një hap drastik duke vendosur në listën e zezë të organizatave terroriste 35 subjekte dhe 36 individë, për një periudhë pesëvjeçare. Ky vendim është marrë nga Dhoma e Dytë Penale e Gjykatës Penale të Kajros, duke shkaktuar jehonë ndërkombëtare për shkak të shtrirjes gjeografike të organizatave të goditura.
Në qendër të këtij vendimi gjendet Këshilli i Myslimanëve të Evropës, një entitet i themeluar në vitin 1989 që shërben si një ombrellë për shumë shoqata myslimane në kontinentin evropian. Megjithëse ky këshill deklarohet si një institucion i pavarur, jofitimprurës dhe me synim integrimin e komuniteteve myslimane, ai është përballur shpesh me akuza për lidhje me Vëllazërinë Myslimane, pretendime të cilat organizata i ka hedhur poshtë kategorikisht, duke përfshirë këtu edhe kundërshtimet ndaj raporteve zyrtare franceze të vitit 2025.
Një detaj që tërheq vëmendjen për opinionin publik shqiptar është përfshirja në këtë listë e Fondacionit Kulturor për Shkencë dhe Arsim, i cili operon në Kosovë. Ky vendim pason një praktikë të ligjit egjiptian mbi luftën kundër terrorizmit, i cili u jep autoriteteve kompetenca të gjera mbi subjektet e listuara.
Sipas këtij legjislacioni, ndaj këtyre organizatave aplikohen sanksione të ashpra, si ndalimi i plotë i veprimtarisë, mbyllja e zyrave, ndalimi i mbledhjes së fondeve dhe ngrirja e të gjitha aseteve financiare apo pronave që ato zotërojnë. Megjithatë, ekspertët ligjorë sqarojnë se këto masa juridike janë të zbatueshme ekskluzivisht brenda territorit të Egjiptit dhe nuk kanë fuqi juridike automatike në vendet e tjera ku këto organizata zhvillojnë aktivitetin e tyre.
Lista e plotë e organizatave të shpallura terroriste nga gjykata egjiptiane përfshin:
Këshilli i Myslimanëve të Evropës (Council of European Muslims) dhe degët e tij; Myslimanët e Francës; Shoqata Myslimane e Britanisë; Liga Myslimane e Zvicrës; Komuniteti Islamik Gjerman; Shoqatat Islame në Suedi, Itali, Irlandë, Poloni, Finlandë, Norvegji dhe Holandë; Shoqata Islame për Dialog dhe Bashkëjetesë; Shoqata Myslimane e Hungarisë; Shoqata Al-Hikma; Shoqata Kulturore Al-Mustaqbal; Këshilli i Myslimanëve të Ukrainës; Liga Myslimane e Belgjikës; Shoqata AKOS; Unioni i Organizatave Islame në Rusi; Shoqata e Rinisë Islame; Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Arsim (Kosovë); Këshilli Islamik Danez; Kompleksi Kulturor Islamik dhe Shoqata Kulturore Islamike Al-Salam.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: