Politikë
Dr. Adem Ademi, pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, rivarroset më 28 Nëntor
Reklamë e Sponsorizuar
Familja e doktor Adem Ademit, pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, ka vendosur që rivarrimi i tij të bëhet më 28 Nëntor, pas 27 vjetësh pritjeje për zbardhjen e fatit të tij.
Lajmin e bëri të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara.
Ai tha se për këtë është njoftuar në takimin me Erblin Ademin, djalin e doktorit.
“28 Nëntori - Dita e Flamurit, 28 Nëntori edhe i Isa Boletinit, krenarisë së Mitrovicës e shqiptarisë. Dita e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, me të cilin doktori ndante jo vetëm emrin, por edhe idealin e lirisë. Po ashtu, dita e daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një përkim sa domethënës, aq edhe prekës për jetën dhe veprimtarinë e doktor Adem Ademit, i cili profesionin ia kushtoi shërimit të njerëzve, ndërsa një pjesë të jetës së tij ia kushtoi lirisë dhe dinjitetit të vendit.
Pas 27 vitesh pritjeje, 28 Nëntori i këtij viti do të ketë një kuptim të veçantë për familjen Ademi, për bashkëveprimtarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën, e respektuan dhe nuk e harruan asnjëherë doktorin”,shkroi në Facebook, Gara.
"Grupi i Intelektualëve” përbëhej kryesisht nga qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe.
Në mesin e 23 personave të këtij grupi shqiptarësh kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut.
Në gusht të këtij viti, autoritetet kryen gërmime në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut ku zbuluan tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 persona. Më pas, mostrat e mbetjeve të mortore u dërguan në Hagë të Holandës për identifikim përmes ADN-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: