Politikë
Shpërthimi në Elbasan, ministri Demo: Asnjë familje e pambështetur, prioritet strehimi dhe siguria e banorëve
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, zhvilloi sot një vizitë në Elbasan për t'u takuar me familjet e prekura nga shpërthimi në një pallat banimi. Qëllimi i këtij takimi ishte dëgjimi i drejtpërdrejtë i shqetësimeve të qytetarëve dhe monitorimi nga afër i masave që po ndërmerren për të garantuar strehimin e tyre dhe për të dhënë një zgjidhje përfundimtare të situatës.
I shoqëruar nga autoritetet lokale dhe përfaqësues të institucioneve qendrore, ministri Demo u njoh me situatën e vështirë të familjeve të zhvendosura. Ai rikonfirmoi se ruajtja e jetës së qytetarëve dhe ofrimi i një ndihme konkrete mbeten detyrat parësore të shtetit.
“Jemi angazhuar maksimalisht që kjo situatë të marrë rrugën e duhur. Do të ndjekim çdo hap deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për të gjithë të prekurit”, u shpreh ministri Demo gjatë komunikimit me banorët.
Nga ana e tyre, banorët shprehën mirënjohje për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e forcave zjarrfikëse gjatë emergjencës. Ata vlerësuan gjithashtu gatishmërinë e ministrit Demo për të qenë fizikisht pranë tyre, duke e parë këtë si një garanci për ndjekjen e situatës deri në fund.
Aktualisht, Bashkia e Elbasanit është angazhuar për të përballuar nevojat imediate të familjeve, duke ofruar bonusin e qirasë dhe ndihmë tjetër logjistike për periudhën tranzitore. Megjithatë, ministri nënvizoi se kjo është vetëm një masë e përkohshme dhe se kërkohet bashkëpunim ndërinstitucional për një zgjidhje të qëndrueshme.
Sa i përket fatit të godinës së dëmtuar, ministri Demo sqaroi se vendimmarrja do të mbështetet ekskluzivisht në ekspertizën teknike. “Presim raportin përfundimtar të inxhinierëve, të cilët po vlerësojnë strukturën. Bazuar në këto rezultate, do të përcaktojmë hapat e ardhshëm për t’i dhënë zgjidhje problematikës, duke vendosur gjithmonë sigurinë në plan të parë”, deklaroi ai.
Ministri kërkoi koordinim intensiv mes të gjitha strukturave përgjegjëse për të përshpejtuar procesin e vlerësimit teknik dhe për të shmangur çdo zvarritje në mbështetjen ndaj banorëve. Kjo vizitë është pjesë e strategjisë së ministrit Demo për të ndjekur nga afër problematikat që prekin komunitetin.
Në këtë inspektim ishin të pranishëm edhe prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, ekspertë të Institutit të Ndërtimit dhe përfaqësues të Emergjencave Civile.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: