Sejdiu: 80% e udhëzimeve administrative janë në kundërshtim me ligjin
Publikuar më: 02-07-2025 18:42
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se 80 për qind e udhëzimeve administrative janë në kundërshtim me ligjin.
Ai ka theksuar se për tetë vjet çdo gjë nga ministritë janë bërë hapa kundërligjorë sa i përket Ligjit të barnave. E, sipas tij, shkeljet janë bërë por asnjë ministër nuk është vënë para drejtësisë.
“I kemi shkruar edhe Kuvendit dhe kryeministrit Kurti se ju kanë qitë në lajthitje, filan rregullorja është në kundërshtim me ligjin. Janë vepra penale që janë bërë bazuar në atë rregullore që e ka nënshkruar kryeministri Kurti. Rregullorja për shtetasit e huaj në Kosovë (mjekët e huaj që vijnë të punojnë në Kosovë). Udhëzimet administrative që dalin 80% e tyre janë në kundërshtim me ligjin ën fuqi. Ne kemi kërkuar nga kryeministri ta ndryshojmë ligjin, por mos e shkelni ligjin”, ka thënë ai.
Sejdiu ka shtuar se Oda ka kërkuar hetim në raste specifike, por se nuk ka shkuar askund ai hetim.
“Kemi kërkuar nga Auditori, Policia dhe Prokuroria të hetojë rastet e specializimeve, tash 1000 vetë do dalin specialistë këtë vit, e i kemi 300 vende që janë kërkuar në krejt Kosovën. Ku do të shkojnë ata? Është fillu auditimi dhe dikush e ka mbyllë prej ministrave të rinj sepse të njëjtën rrugë ka shkuar edhe ai, në shkelje ligjore dhe auditorët nuk e kanë parë të arsyeshme të hyjnë”.
Bytyqi: Çmimi i vendosur për glukozën, më i ulët në shitje sesa që blihet nga vendi origjinës
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka deklaruar se çmimi i vendosur për glukozën është më i ulët në shitje, për dallim nga ai që blihet në vendin e origjinës.
Ai ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se kjo është ankesë e farmacistëve, derisa shtoi se vendet e Bashkimit Evropian janë në krizë për barna.
“Glukoza s’ka domethënie të madhe për pacientin, por përmes saj jepet një terapi e tërë. Me disa që importojnë thonë se s’mund të furnizohemi pasi çmimi i vendosur është më i lirë sesa çmimi që importojnë nga vendi i origjinës”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka shtuar se është pro ligjit që të rregullohet tregu, çmimi dhe marzha.
🔙 Kthehu