Kronikë
Skënder Hita paralajmëron goditje rrënjësore të rrjeteve të drogës: Nga financuesit te trafikantët, në qendër të vëmendjes edhe të miturit
Reklamë e Sponsorizuar
Përqendrimi i plotë i Policisë së Shtetit do të jetë te shkatërrimi i rrjeteve kriminale që merren me prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, ka theksuar se puna nuk do të kufizohet vetëm te evidentimi i parcelave të mbjella, por te asgjësimi i të gjithë mekanizmit kriminal që financon dhe mbështet këtë paligjshmëri.
Gjatë një daljeje për mediat në bashkëpunim me delegacionin e Guardia di Finanza-s, Hita njoftoi se gjatë këtij viti janë finalizuar me sukses 31 operacione, ndërsa konfirmoi se aksionet kundër këtyre grupeve do të vazhdojnë me intensitet.
Një nga shqetësimet më të Mëdha që kërkon vëmendje urgjente, sipas kreut të Policisë, është përfshirja e elementëve të mitur në këto rrjete kriminale. Për këtë arsye, strategjia e institucionit që ai drejton do të fokusohet te masat parandaluese, veçanërisht në muajt e mbetur të këtij viti dhe përgjatë gjithë vitit 2027.
“Angazhimi ynë kundër kanabisit kërkon një qasje të gjithanshme deri në shkatërrimin e plotë të rrjetit të shpërndarjes, për të mbrojtur brezat e rinj. Vëmendja jonë kryesore për këtë fundviti dhe vitin e ardhshëm do të jetë parandalimi i çdo tentative për të përfshirë të miturit në këto krime”, u shpreh Hita.
Ai gjithashtu garantoi se struktura që drejton do të rrisë standardet e performancës në këtë fushë, duke vënë përballë drejtësisë çdo individ apo hallkë të përfshirë, që nga mbështetësit financiarë e kultivuesit, e deri te shpërndarësit dhe trafikantët.
Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u dha siguri qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se institucionet ligjzbatuese janë të vendosura për të çuar deri në fund betejën kundër paligjshmërisë dhe krimit të organizuar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: