Politikë
Hoti: Shpenzimet e jetesës janë ngritur për 45% në pesë vitet e fundit
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka ngritur shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike në vend, duke theksuar se vala e shtrenjtimit po rëndon ndjeshëm buxhetin e familjeve kosovare.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se referuar statistikave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shpenzimet e përgjithshme për jetesë kanë regjistruar një rritje mesatare prej 45 për qind gjatë pesë viteve të fundit, ndërkohë që mallrat e shportës së përditshme kanë shënuar pothuajse dyfishim të çmimeve.
Duke drejtuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë Kurti, ligjvënësi i LDK-së e ka cilësuar narrativën zyrtare për progres ekonomik si një formë propaganda që nuk përkon me realitetin e përditshëm të qytetarëve.
“Buxheti nuk matet me shifrat në letër, por me cilësinë e jetës së qytetarëve,” ka shkruar Hoti.
Sipas tij, në pesë vitet e fundit, bazuar në të dhënat e ASK-së, kostoja e jetesës është rritur mesatarisht për 45%, ndërsa për shumë produkte të konsumit familjar çmimet gati janë dyfishuar.
“Kur çmimet dyfishohen, jeta e qytetarëve bëhet më e vështirë. Propaganda për sukses ekonomik nuk e mbush shportën e konsumit të familjeve!” – ka vijuar reagimi i tij.
Në këtë kontekst, Hoti ka shtuar se ekzekutivi mund të paraqesë shifra të larta miliardëshe, por gjendja reale dëshmohet tek shpenzimet e konsumit familjar dhe te faturat që qytetarët paguajnë çdo fundjavë në dyqane e markete.
Ai ka vlerësuar se diskutimet në Kuvend lidhur me Kornizën Buxhetore për periudhën 2027-2029 duhet domosdoshmërisht të fokusohen në tri pika kyçe: analizimin e rritjes së kostos së jetesës për qytetarët, përcaktimin e përgjegjësisë institucionale dhe gjetjen e mekanizmave për lehtësimin e kësaj barre financiare.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: