Kronikë
Nis procesi gjyqësor për sulmin terrorist në kanalin e Ibër Lepencit
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur seancën dëgjimore ndaj tre të pandehurve, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të cilët akuzohen për sulmin e ndodhur në infrastrukturën kritike të kanalit “Ibër Lepenc” në Zubin Potok.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Kundër Terrorizmit të Policisë së Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, vëllezërit Viqentijeviq ballafaqohen me akuza të rënda për rrezikim të rendit kushtetues përmes dëmtimit të instalimeve publike në lidhje me terrorizmin, si dhe për mbajtje pa leje të armëve. Ndërkohë, Jovan Viqentijeviq akuzohet shtesë edhe për veprën penale të spiunazhit, kurse Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja kriminale daton më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku në trupin e kanalit u vendos një çantë e mbushur me afërsisht 20 kilogramë lëndë plasëse TNT. Hetimet tregojnë se shpërthimi u aktivizua nga Jovan Viqentijeviq, duke shkaktuar dëme materiale të mëdha në strukturën e betonit prej rreth 376,774.70 eurosh, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë dhe duke rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike për termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Si pjesë e provave materiale, organi i akuzës është mbështetur edhe në analizat krahasuese të dheut të siguruar nga çizmet e sekuestruara të të dyshuarve dhe mostrave të marra në terrenin e shpërthimit, analiza në të cilat kanë kontribuar edhe ekspertë nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e Shteteve të Bashkuara. Rezultatet e këtyre ekzaminimeve, sipas prokurorisë, lidhin drejtpërdrejt vëllezërit Viqentijeviq me vendin e krimit.
Për më tepër, dosja hetuesve zbulon se deri në momentin e prangosjes, Jovan Viqentijeviq ka vepruar si i rekrutuar në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, ku në cilësinë e kolonelit ka grumbulluar informacione dhe dokumente të klasifikuara për t'i shfrytëzuar në aktivitete të kundërligjshme brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: