Botë
Reforma e BE-së: KE përgatit kufizime dhe vendimmarrje me shumicë për shtetet e reja anëtare
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Evropian pritet të paraqitë një propozim të ri që parashikon kufizimin e disa të drejtave për vendet që do t'i bashkohen në të ardhmen Bashkimit Evropian. Ky plan përfshin gjithashtu kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar, duke zëvendësuar unanimitetin në fusha të ndryshme, përfshirë edhe procesin e zgjerimit.
Këto masa thelbësore janë pjesë e strategjisë së re për zgjerimin, e cila do të miratohet dhe bëhet publike zyrtarisht më 7 tetor nga ana e Komisionit Evropian.
Qëllimi kryesor i këtyre dy nismave është shmangia e çdo bllokimi të mundshëm që mund të vështirësojë më tej mekanizmat tashmë komplekse të vendimmarrjes brenda bllokut evropian gjatë pranimit të anëtarëve të rinj.
Në këtë strategji, Komisioni do të theksojë nevojën që zgjerimi të jetë i përgatitur mirë dhe me përfitim të ndërsjellë. Nga njëra anë, vendet kandidate duhet të dëshmojnë gatishmëri dhe të plotësojnë kritere të rrepta, ndërsa nga ana tjetër, vetë BE-ja duhet të jetë e përgatitur në rrafshin institucional, financiar dhe politik për të ruajtur funksionalitetin e saj edhe pas zgjerimit.
Sipas draftit të dokumentit, mekanizmat e reja synojnë të kufizojnë mundësinë e bllokimit të vendimeve gjatë viteve të para të anëtarësimit. Ndërkohë, shtetet ekzistuese do të pajisen me instrumente adekuate për të reaguar nëse vendet e reja largohen nga detyrimet e marra përsipër pas hyrjes në bllok.
Aspekti më i ndjeshëm i këtij drafti lidhet pikërisht me kufizimin e së drejtës së vetos, i cili në dokument cilësohet simbolikisht si “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”.
Në bazë të këtij propozimi, anëtarët e ardhshëm do të marrin përsipër detyrimin që të mos kundërshtojnë vendimet e Këshillit në fushat ku kërkohet domosdoshmërisht unanimiteti.
Ky rregull do të gjejë zbatim në çështjet që lidhen me aspektet institucionale dhe raundet e ardhshme të zgjerimit të bllokut.
Si kundërpërgjigje, institucionet evropiane do të zotohen për të gjetur një zgjidhje të pranueshme sa herë që një anëtar i ri t'i referohet interesave të tij thelbësore kombëtare, siç specifikohet në dokument.
Këto marrëveshje të reja pritet të përfshihen në një deklaratë të përbashkët që do t'i bashkëngjitet Traktatit të Anëtarësimit dhe do të miratohet para tij.
Përveç mjeteve ekzistuese që janë zbatuar për anëtaret e mëparshme, Komisioni Evropian do të propozojë vendosjen e dy mekanizmave të rinj mbrojtës, të fokusuar te fusha financiare dhe ajo institucionale.
Mekanizmi financiar do t'i japë të drejtë Komisionit që, për një periudhë të caktuar pas anëtarësimit, të propozojë masa proporcionale nëse ekzistojnë prova të qarta ose rrezik serioz se mangësitë në sundimin e ligjit mund të dëmtojnë buxhetin e BE-së ose interesat e tij financiare.
Klauzola institucionale do të aktivizohet në raste të “shkeljeve veçanërisht të rënda”, duke i lejuar Këshillit të BE-së të miratojë masa të përshtatshme, ku përfshihet edhe pezullimi i përkohshëm i disa të drejtave që burojnë nga anëtarësimi.
Me këtë dokument, Komisioni paralajmëron gjithashtu forcimin e masave ndëshkuese nëse vërehet përkeqësim i standardeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore pasi të kenë përfunduar negociatat e anëtarësimit.
Propozimet nuk lënë pa prekur as vetë strukturën e institucioneve të BE-së. Anëtarësimi në të ardhmen nuk do të garantojë automatikisht një komisionar të veçantë për secilin vend anëtar i ri, një parim ky që do të vlejë edhe për anëtaret ekzistuese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: