Politikë
Ardian Gjini shënjestron ekzekutivin: Importi i qumështit u rrit me 1 milion litra në muaj për shkak të goditjes ndaj prodhuesve
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka adresuar kritika të rënda ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, lidhur me trajtimin që po u bëhet prodhuesve vendorë, duke u shprehur se politikat dhe qasja e ekzekutivit po dëmtojnë rëndë zinxhirin e prodhimit në vend.
Gjini ka bërë të ditur se blerjet nga jashtë të qumështit në Kosovë kanë shënuar një shtesë prej një milion litrash në muaj krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, situatë kjo që, sipas tij, është pasojë e drejtpërdrejtë e goditjes ndaj bizneseve vendore të këtij sektori.
"Për 1 milion litra në muaj është rritë importi i qumështit. Janë tu u importu ma shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pse ndodh kjo? Për shkak se i ka goditë rëndë prodhuesit vendorë të qumështit. Ka dalë nja 20 herë në konferencë për shtyp për ato tema njëri prej ministrave," u shpreh Gjini.
Ai ka vënë në pah se ky zvogëlim i prodhimit të brendshëm dhe hov i importit nuk dëmton vetëm fabrikat përpunuese, por godet në mënyrë direkte edhe blegtorët dhe fermerët që punojnë në terren.
"Ato 1 milion litra që i prodhojnë blegtorët tonë, fermerët tonë… se kompanitë tona prej fermerëve e marrin qumështin. Çka po shkojmë një hap më andej në zinxhir? 1 milion litra më pak kanë me i shitë këtë kohë prodhuesit tonë, blegtorët tonë. Tash, qysh mundet me na ndodh neve si shtet që duhet me u goditë dikush i selektuar?" shtoi ai më tej.
Në fund, Gjini ka vënë në peshore fushatat e ndërmarra nga institucionet kundër industrisë vendore të qumështit dhe heshtjen institucionale përballë rastit të fundit me mbi 100 tonë mish të prishur të sjellë nga Brazili, të cilit po i ndërroheshin datat e skadencës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: