Botë
Strategjia e re e BE-së: Propozohen kufizime për anëtarët e rinj dhe heqja e vetos në disa fusha
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni Evropian pritet të paraqesë një sërë ndryshimesh rrënjësore që parashikojnë kufizimin e disa të drejtave për vendet që synojnë t'i bashkohen Bashkimit Evropian në të ardhmen. Për më tepër, nisma parashikon kalimin në vendimmarrje me shumicë të kualifikuar në vend të parimit aktual të unanimitetit në disa fusha kyçe, përfshirë procesin e zgjerimit.
Këto ndryshime përbëjnë boshtin kryesor të strategjisë së re për zgjerimin, e cila do të miratohet dhe bëhet publike zyrtarisht më 7 tetor nga Komisioni Evropian.
Objektivi kryesor i këtyre masave është garantimi që pranimi i shteteve të reja të mos e rëndojë më tej mekanizmin tashmë kompleks të vendimmarrjes brenda bllokut evropian, duke ruajtur kështu ekuilibrin dhe funksionalitetin e institucioneve.
Sipas dokumentit strategjik, procesi i zgjerimit kërkon një përgatitje maksimale për të garantuar përfitime të ndërsjella. Nga njëra anë, shtetet kandidate duhet të përmbushin standarde të rrepta, ndërsa nga ana tjetër, vetë Bashkimi Evropian duhet të jetë i përgatitur në rrafshin institucional, financiar dhe politik për të mbetur funksional edhe pas pranimit të anëtarëve të rinj.
Drafti i dokumentit parashikon vendosjen e mekanizmave të veçantë që do të kufizonin mundësinë e bllokimit të vendimeve gjatë viteve të para pas anëtarësimit. Njëkohësisht, anëtarët aktualë do të pajisen me instrumente juridike për të reaguar nëse vendet e reja largohen nga detyrimet e marra përsipër pas hyrjes në bllok.
Pika më e diskutueshme e këtij drafti lidhet me kufizimin e së drejtës së vetos, e cila në dokument përshkruhet simbolikisht si “detyrim i përkohshëm lidhur me vendimmarrjen në Këshillin e BE-së dhe Këshillin Evropian”. Konkretisht, vendet e ardhshme anëtare do të angazhohen të mos pengojnë vendimmarrjen në fushat ku tradicionalisht kërkohet unanimitet.
Ky detyrim do të shtrihet kryesisht mbi çështjet me karakter institucional dhe ato që ndërlidhen ngushtë me valët e ardhshme të zgjerimit të bllokut.
Në këmbim të këtij angazhimi, institucionet evropiane do të marrin përsipër detyrimin për të gjetur zgjidhje të pranueshme në rastet kur një shtet i ri anëtar thërret në mbrojtje interesat e tij thelbësore kombëtare.
Këto rregullime të reja pritet të formalizohen përmes një deklarate të përbashkët, e cila do t'i bashkëngjitet Traktatit të Anëtarësimit dhe do të miratohet paraprakisht.
Përveç instrumenteve ekzistuese, Komisioni Evropian do të propozojë shtimin e dy mekanizmave të rinj, të fokusuar te aspektet financiare dhe institucionale.
Mekanizmi mbrojtës financiar do t'i japë të drejtë Komisionit që, gjatë një periudhe të caktuar pas anëtarësimit, të ndërmarrë masa proporcionale në rast se ekzistojnë prova ose rreziqe serioze se mangësitë në sundimin e ligjit mund të dëmtojnë buxhetin ose interesat financiare të BE-së.
Nga ana tjetër, klauzola institucionale do të aktivizohet në raste të “shkeljeve veçanërisht të rënda”, duke i lejuar Këshillit të BE-së të miratojë masa adekuate, përfshirë pezullimin e përkohshëm të disa prej të drejtave që rrjedhin nga anëtarësimi.
Kjo nisme vjen si një sinjal i qartë se Komisioni do të shtrëngojë kriteret dhe do të forcojë masat ndëshkimore nëse vërehet përkeqësim i standardeve të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore edhe pas përmbylljes zyrtare të negociatave.
Ndryshimet prekin edhe strukturën e ekzekutivit evropian, pasi anëtarësimi në të ardhmen nuk do të garantojë më një komisioner automatik për çdo vend të ri, një rregullë kjo që pritet të zbatohet edhe për shtetet ekzistuese në kuadër të reduktimit të numrit të përgjithshëm të komisionarëve.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: