Aktuale
Tragjedi në Shkodër: Elektricisti 34-vjeçar humb jetën nga korrenti teksa po riparonte një defekt
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Bardhaj të Shkodrës, ku një elektricist 34-vjeçar ka ndërruar jetë pasi dyshohet se është goditur nga rryma elektrike, ndërsa po përpiqej të rregullonte një defekt në rrjet.
Sipas të dhënave paraprake nga autoritetet policore, viktima ishte angazhuar jashtë orarit zyrtar të punës me kërkesë të disa banorëve të zonës, të cilët kishin mbetur pa energji elektrike. Ndërhyrja e tij është kryer pa njoftuar paraprakisht dispeçerinë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
I riu u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, por fatkeqësisht mjekët vetëm mundën të konstatonin vdekjen e tij, pasi mbërriti në spital pa shenja jete. Policia dhe grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur plotësisht rrethanat e këtij aksidenti fatal.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije: “Shkodër / Informacion paraprak. Rreth orës 20:36, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër është dërguar pa shenja jete shtetasi A. N., 34 vjeç, me detyrë elektricist i zonës.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se 34-vjeçari ka rënë në kontakt me rrymën elektrike, gjatë kohës që po kryente riparimin e një defekti në një shtyllë elektrike, pasi ai ishte thirrur jashtë orarit të punës nga disa familje, të cilat kishin mungesë të energjisë elektrike, në fshatin Bardhaj, por pa njoftuar dispeçerinë e OSHEE-së.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: