Aktuale
Ndryshon biografia e Hashim Thaçit në Wikipedia: Fshihet cilësimi si 'kriminel lufte' nga hyrja e profilit
Reklamë e Sponsorizuar
Enciklopedia më e madhe online në botë, Wikipedia, ka përditësuar së fundmi paragrafin hyrës në biografinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Nga ky prezantim është fshirë cilësimi i rëndë “kriminel lufte i dënuar”, i cili ishte shtuar pranë emrit të tij pas vendimit të shkallës së parë në Hagë.
Para këtij ndryshimi, kushdo që vizitonte faqen e Thaçit në Wikipedia përballej me fjalinë e parë: “Hashim Thaçi është politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”.
Në versionin e ri, ish-udhëheqësi i Kosovës prezantohet fillimisht vetëm si “politikan kosovar”. Menjëherë pas kësaj, në tekst renditen pozitat e larta shtetërore që ai ka ushtruar përgjatë karrierës së tij politike, duke përfshirë funksionin e kryeministrit, ministrit të Jashtëm, zëvendëskryeministrit dhe presidentit të vendit.
Sidoqoftë, procesi gjyqësor që po zhvillohet në Hagë nuk është fshirë tërësisht nga profili i tij. Informacionet dhe detajet rreth këtij rasti janë zhvendosur më poshtë në trupin e tekstit, ku ofrohet një shpjegim më i hollësishëm mbi ecurinë e procesit dhe vendimin e shkallës së parë.
Ky korrigjim në platformën globale vjen si rezultat i reagimeve dhe kundërshtimeve të shumta që kishte nxitur formulimi i mëparshëm tendencioz.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili kishte qenë ndër të parët që kishte denoncuar publikisht këtë përshkrim në profilin e ish-presidentit.
“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm”, ka shkruar Abazi në reagimin e tij.
Më tej, profesori Abazi ka falënderuar të gjithë ata që u angazhuan dhe kontribuuan në korrigjimin e këtij shkrimi, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë punën e “grupit të Wikipedia-s”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: