Politikë
Donald Trump hedh poshtë pretendimet për marrëveshje me Iranin: Nuk u kam ofruar asgjë!
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka hedhur poshtë me forcë pretendimet se administrata e tij ka marrë në konsideratë mundësinë e heqjes së sanksioneve ekonomike ndaj Iranit dhe zhbllokimin e aseteve të ngrira, në këmbim të lëshimeve për programin bërthamor të Teheranit.
Përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, presidenti amerikan i ka cilësuar këto pretendime si të pavërteta, duke theksuar se nuk ka vënë në tavolinë asnjë lloj koncesioni. "Ata sapo publikuan një lajm se ‘Trump’ i ofroi Iranit lehtësim nga sanksionet dhe fonde të ngrira. Kjo është e pavërtetë. Unë nuk u ofrova atyre ASGJË!", shkruajti ai.
Sipas informacioneve fillestare që citonin burime anonime brenda administratës, Uashingtoni dyshohej se po shqyrtonte hapa lehtësues ekonomikë për Teheranin, nëse ky i fundit do të tregonte gatishmëri për hapa konkretë drejt frenimit të ambicieve bërthamore.
Duke e quajtur këtë shkrim një mashtrim të pastër, lideri amerikan ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tij. Ky reagim vjen në një periudhë kur dinamikat diplomatike mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten në qendër të vëmendjes globale.
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, kishte parashikuar takime me diplomatë nga Katari në Nju Jork, ndërsa kontakte të ndryshme mes palëve kanë ndodhur gjatë javës së kaluar në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Pavarësisht këtyre lëvizjeve, agjencia zyrtare e lajmeve në Iran, IRNA, bëri të ditur se autoritetet iraniane nuk kanë parashikuar zhvillimin e dialogëve të tjerë direktë me Shtetet e Bashkuara.
Kriza rajonale mbetet e tensionuar edhe për shkak të ngërçit rreth Ngushticës së Hormuzit, arterie jetike për tregtinë ndërkombëtare të energjisë. Pasi refuzoi një ofertë të Teheranit për këtë çështje, Trump paralajmëroi se pret nisjen e bisedimeve të reja në të ardhmen e afërt.
Nëpër këtë korridor strategjik detar, ku kalon afërsisht një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz, situata paraqitet tejet kritike. Rruga detare raportohet se është paralizuar plotësisht pas përshkallëzimit të hapur të konfliktit, si pasojë e sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: