Kronikë
Operacioni “Gjuetari i Bankave”: Policia e Tiranës zbardh grabitjet me armë të dy filialeve dhe godet një rast trafiku droge në Rinas
Reklamë e Sponsorizuar
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, Oliger Torba, ka dalë në një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet e dy operacioneve të suksesshme, të cilat sollën zbardhjen e grabitjeve me armë të dy filialeve bankare në kryeqytet, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit.
Sipas kreut të policisë së Tiranës, falë hetimeve të thelluara të ndjekura me metoda speciale nga strukturat e posaçme nën drejtimin e Prokurorisë, është përmbyllur me sukses operacioni i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Torba bëri të ditur se ky operacion ka çuar në identifikimin dhe vënien në pranga të 50-vjeçarit me iniciale R. D. (alias A. D.), i cili dyshohet si autori i vetëm i dy grabitjeve të ndodhura nën kërcënimin e armës së zjarrit përkatësisht më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy institucione të ndryshme financiare në Tiranë.
Zbulimi i autorit u bë i mundur falë angazhimit maksimal hetimor, shfrytëzimit të teknologjisë së avancuar për identifikimin e personave pavarësisht përdorimit të maskave, si dhe analizës së detajuar të elementeve të veshjes gjatë kryerjes së krimeve. Gjatë kontrolleve të ushtruara, autoritetet sekuestruan 8 200 euro, pajisje celulare dhe veshje të përdorura gjatë ngjarjeve.
Në të njëjtën linjë komunikimi, drejtori Torba njoftoi edhe për finalizimin e operacionit “Fly”, ku specialistët e antidrogës në bashkëpunim me shërbimet e Rinasit dhe autoritetet doganore, mbështetur në informacione operative, kontrolluan bagazhet e linjës ajrore Athinë–Rinas.
Në vijim të kontrolleve, brenda një valixheje u zbuluan dy pako me lëndë të dyshuar bimore narkotike të llojit kanabis sativa. Veprimet e shpejta hetimore mundësuan identifikimin e pronarit të dyshuar të valixhes, shtetasit grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga ambientet e aeroportit menjëherë pas uljes së avionit.
Struktura policore organizuan ndjekjen dhe bënë të mundur kapjen e tij në rrugën e Durrësit, duke e arrestuar në flagrancë për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa lënda e dyshuar u sekuestrua si provë materiale.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Torba theksoi se gjatë ditës së djeshme, nga ana e strukturave hetimore u bë i mundur kapja dhe ndalimi i tre shtetasve ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, konkretisht shtetasve O. K., 29 vjeç, G. S., 28 vjeç dhe S. H., 20 vjeç.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: