Sport
Nga gabimi i portierit te dhurata për babanë: Rrëfimi i Fisnik Asllanit pas golit të parë në Bundesligë
Reklamë e Sponsorizuar
Sulmuesi nga Kosova, Fisnik Asllani, ka përjetuar një nga momentet më të veçanta në karrierën e tij në futbollin gjerman, pasi ka shënuar golin e parë për këtë edicion në Bundesligë. Ky realizim rezultoi vendimtar në triumfin e Hoffenheimit me rezultatin 2-1 ndaj skuadrës së Schalke 04.
Ylli i Përfaqësueses së Kosovës e zhbllokoi shifrat që në minutën e 10-të të takimit. Goli erdhi pas një presioni të lartë dhe të vazhduar ndaj portierit kundërshtar, Loris Karius, i cili gaboi gjatë një daljeje me top. Asllani përfitoi menjëherë nga ky ngërç, duke ndërhyrë saktë dhe duke bërë që topi të kalonte mbi portierin për të përfunduar në rrjetë.
Pas përfundimit të ndeshjes, 24-vjeçari ndau përshtypjet e tij për këtë rrjetë, duke pranuar se fati kishte rolin e vet, por theksoi se vendimtare ishte lëvizja dhe këmbëngulja e tij në sekondën e duhur.
“Pati pak fat që topi përfundoi në rrjetë në atë mënyrë, kjo është e vërtetë. Por nuk ishte vetëm fat, sepse unë bëra atë vrapim. Vetëm në atë mënyrë mund të shënohej goli. Nëse nuk do ta bëja atë lëvizje, goli nuk do të realizohej”, u shpreh Asllani.
Kjo fitore për Hoffenheimin mbërriti në një periudhë tejet të ngarkuar, pasi skuadra kishte luajtur plot nëntë ndeshje brenda një afati prej vetëm 29 ditësh. Për pasojë, lodhja fizike dhe mungesat e shumta në grup kishin lënë shenjë në përgatitjen dhe dinamikën e përgjithshme të ekipit.
Sulmuesi shtoi se kalendari i ngjeshur ka lënë pasoja, sidomos duke pasur parasysh fondin e ngushtë të lojtarëve që trajneri kishte në dispozicion gjatë kësaj kohe.
“Kur luan katër javë rresht me ndeshje edhe gjatë mesjavës, është një ngarkesë shumë e madhe. Ndoshta sot na mungoi ajo cilësi shtesë ndaj Schalkes, sidomos kur ke edhe mungesa. Kohët e fundit dukej sikur të njëjtët 12 apo 13 lojtarë ishin gjithmonë në formacionin titullar”, u shpreh reprezentuesi kosovar.
Megjithatë, pavarësisht ngarkesës, sulmuesi shtoi se preferon një ritm të tillë të ngjeshur, pasi dëshira e tij më e madhe është të jetë sa më pranë fushës së blertë.
“Unë jam dikush që e pëlqen këtë. Preferoj të luaj, asgjë nuk është më e mirë sesa të kesh ndeshje çdo disa ditë. Më mirë kështu sesa të stërvitem”, tha ai.
Në fund të prononcimit të tij, Asllani zbuloi se ky gol kishte një domethënie krejtësisht emocionale dhe personale, pasi përkonte me ditëlindjen e të atit, të cilit ia ka dedikuar zyrtarisht këtë arritje.
“Golat gjithmonë më japin një ndjenjë të veçantë, është gjithmonë diçka shumë e bukur. Por sot është edhe ditëlindja e babait tim. Kjo ishte praktikisht dhurata ime për të. Goli im i parë në Bundesligë këtë sezon, nuk mund të shkruaja një histori më të bukur se kjo”, përfundoi Asllani.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: