Aktuale
Tragjedi në detin e Kretës: 12 emigrantë humbin jetën në gomone, shpëtohen mbi 100 të tjerë
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje tragjike ka tronditur jugun e ishullit të Kretës, pasi 12 emigrantë u gjetën pa shenja jete brenda një gomoneje në afërsi të brigjeve të Kala Limenas. Ndërkohë, falë ndërhyrjes së autoriteteve, rreth 105 persona të tjerë kanë arritur të shpëtohen gjatë një serie operacionesh kërkim-shpëtimi.
Kjo dramë njerëzore u zbulua rreth 15 milje detare në juglindje të Kala Limenas, pasi një anije mallrash me flamur të Marokut vërejti varkën gomone të mbushur me emigrantë dhe ngriti alarmin duke njoftuar autoritetet kompetente.
Roja Bregdetare e Greqisë ndërhyri menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur shpëtimin e 18 personave dhe nxjerrjen e trupave të pajetë të 12 viktimave. Të mbijetuarit dhe trupat e pajetë po transportohen drejt portit të Agia Galinit.
Në një zhvillim tjetër paralelisht, dy operacione shtesë shpëtimi u zhvilluan në jug të Kalamakit, ku u lokalizuan dy gomone të tjera që transportonin përkatësisht rreth 47 dhe 40 emigrantë.
Në këto aksione humanitare dhe të shpëtimit dha kontributin e saj edhe agjencia evropiane Frontex, e cila angazhoi mjetet e saj ajrore, si me pilot ashtu edhe pa pilot. Rreth 87 persona u morën në bordin e anijeve të shpëtimit dhe po dërgohen për në portin e Kala Limenas.
Pavarësisht kushteve të favorshme atmosferike që mbretëronin në zonë, kjo ngjarje e rëndë shërben si një tjetër kambanë alarmi për rreziqet ekstreme që paraqesin udhëtimet ilegale detare të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: