Politikë
Tragjeditë që tronditën vendin: Ministria në pritje të gjetjeve për QPS-të, vendimet mbeten në dorë të komunave
Reklamë e Sponsorizuar
Pas serisë së incidenteve tragjike që kanë nxjerrë në pah lëshimet e theksuara institucionale, institucionet qendrore po shtojnë presionin mbi strukturat lokale. Ndërsa Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme tashmë kanë publikuar raportet e tyre lidhur me rastin fatal që i mori jetën Arlinda Zekajt, një vëmendje e madhe i është kushtuar edhe punës së Qendrave për Punë Sociale.
Në këtë linjë, Ministria për Punë dhe Familje është në pritje të përmbylljes së raportit zyrtar që po analizon në detaje veprimet e Qendrës për Punë Sociale në Pejë. Sipas ministrit Andin Hoti, dokumenti në fjalë pritet të finalizohet brenda pak ditësh, ndërkohë që paralelisht po hetohet edhe përgjegjësia e Qendrës në Gjilan, pas ngjarjes së rëndë që përfundoi me humbjen e jetës së dy personave, përfshirë këtu edhe një foshnjë.
“Ditën që ka ndodhë rasti, divizioni i inspektimit ka shkuar në Pejë e ka marr komplet dosjen, i ka intervistuar edhe zyrtarët që punojnë në qendrën për punë sociale dhe në Gjilan me rastin që ndodhi para do dite fatkeqësisht foshnjen e vogël, raporti ende nuk ka përfunduar nuk e kemi raportin përfundimtar ka disa të gjetura që smundem me i thanë pa përfunduar raporti”, ka deklaruar Andin Hoti, ministër i Punës dhe Familjes.
Sa i takon masave ndëshkimore që mund të ndërmerren pas konstatimit të shkeljeve, ministri Hoti ka bërë të ditur se kompetenca ligjore u takon autoriteteve komunale, konkretisht kryetarëve të komunave përkatëse.
“Divizioni i inspektimit e ka për detyrë me shiqu a po implementohen politikat në kuadër të qendrave për punë sociale, por masat që ne mund të marrim nuk janë të mëdhaja sepse ne cka bëjmë me raportin përfundimtar e qon te kryetari i komunës së Pejës, dhe kërkon nga ai të ndërmarr masa disiplinore ndaj zyrtarëve të QPS-së, tash varet nuk po them prej vullnetit sepse ai e ka obligim ligjor por nuk mundem unë me ndërhy”, ka theksuar ai.
Në anën tjetër, Qendrat për Punë Sociale anembanë vendit vazhdojnë të përballen me sfida të shumta funksionale, duke filluar nga mungesa e theksuar e stafit profesional deri te kushtet e rënda të punës. Vështirësitë në komunikim me këto institucione kanë shtyrë avokatin nga Gjakova, Yll Bokshi, që me iniciativë personale të krijojë një ueb-faqe ku përfshihen numrat e kontaktit dhe informacione të rëndësishme për qytetarët.
Duke folur për domosdoshmërinë e një transformimi rrënjësor të sistemit, avokati Bokshi ka vënë inë pah urgjencën e ndryshimeve legjislative.
“Duhet me pas me ndrru baza ligjore me u ndry i gjithe procesi me u shty puntoret social këtu në Kosovë sa kam informacion nuk ka strehimore nuk ka jetimore që i thojnë ka organizata joqeveritare që i organizojnë ato që marrin fondacione prej shtetit, ish dasht me qenë dicka në kuadër të shtetit…Këtu në Kosovë derisa duhet me vdek dikush ose me ndodh naj skandal për me reflektu shpresoj që ngjarjet e fundit të jetë pasqyre për me reflektu dhe në mënyrë urgjente me u bë reforma”, ka theksuar Yll Bokshi.
Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Familjes ka përgatitur një raport edhe për Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, pas rastit të rëndë të keqtrajtimit të një 5-vjeçari. Sipas ministrit Hoti, për këtë rast është suspenduar vetëm një zyrtar, ndërsa nga Komuna nuk janë ofruar të dhëna shtesë mbi fatin e rekomandimeve të dala nga inspektimi, duke mos kthyer përgjigje as ndaj interesimit të mediave për zbatimin e masave të kërkuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: