Politikë
Çështja e provimit të jurisprudencës, Filkov: Qëndrimi im mbetet i pandryshuar
Reklamë e Sponsorizuar
Ish-ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për linjën e përcaktuar nga kryetari i partisë, Maksim Dimitrievski, sipas të cilit provimi i jurisprudencës duhet të zhvillohet ekskluzivisht në gjuhën maqedonase.
Në prononcimin e tij, Filkov bëri të ditur se korniza aktuale ligjore dhe Kushtetuta e vendit nuk parashohin ndonjë alternativë tjetër për gjuhën e testimit, duke shtuar se ky qëndrim ka qenë i palëkundur që nga koha kur ai ushtronte funksionin e ministrit.
“Ne, si ZNAM jemi konsekuentë dhe parimorë në qëndrimin të cilin unë e kam përfaqësuar që kur isha ministër dhe qëndroj prapa të njëjtit. Për momentin nuk ka mundësi për dhënien e provimit në një gjuhë tjetër, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë. Të presim që të gjendet një zgjidhje, ta shohim dhe pastaj do të bisedojmë... Nuk bëhet fjalë për atë nëse unë jam kundër apo pro. Së pari, për atë zgjidhje hibride, le ta quajmë kështu, unë kam mësuar nga ju, mediat. Unë nuk kundërshtoj që dikush ta japë provimin në atë gjuhë që është e mundësuar në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, por ajo që më shqetëson mua është se një zgjidhje e tillë hibride u refuzua nga ata të cilët protestojnë dhe kundërshtojnë që ta japin provimin në gjuhën që duhet të përdoret në të gjitha ato institucione ku planifikojnë të punojnë, si gjyqtarë, avokatë, prokurorë dhe të ngjashëm. Kjo është më shumë se shqetësuese”, u shpreh ish-ministri i Drejtësisë Filkov.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: