Aktuale
Udhëtim në zemër të traditës: Atje ku historia, arti dhe shpirti shqiptar bëhen një
Reklamë e Sponsorizuar
Udhëtimi ynë i radhës na drejtoi drejt fshatit Pojan, në afërsi të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, ku u ndalëm në kompleksin e agroturizmit “Rozafa Apollonia”, pronë e sipërmarrësit Gjergj Luca, i biri i artistit të madh Ndrekë Luca. Që në hapat e parë, kjo hapësirë na ofroi një bukuri të rrallë, e cila të rrëmbente menjëherë shpirtin. Në mjedisin e njohur si “Tempulli i Shpirtit”, na dolën përpara skulpturat e Gjergj Fishtës dhe Faik Konicës, të paraqitur me libra në duar dhe me një buzëqeshje vëllazërore. Për një çast, m’u duk sikur ata dy kolosë të mendimit shqiptar po na pëshpërisnin: «Ta duam dhe ta çmojmë këtë atdhe!» Aty kuptova se lumturia nuk lulëzon në heshtje mbi livadhet e shpirtit, por lind nga dëshira për të ndërtuar dhe për t'i lënë pas breza-vjetëve një vepër madhështore. Në ato momente m’u kujtua edhe porosia e Hilë Mosit: «Fanatizëm në paç për fe, atdhetar i drejtë nuk je!»
Brenda këtij ambjenti frymëzues, portretet, skulpturat, fotografitë dhe fondi i librave ndërtonin një atmosferë të jashtëzakonshme përkushtimi ndaj trashëgimisë sonë kombëtare. Vëmendjen ma tërhoqën në mënyrë të veçantë skulptura e Fan Nolit dhe biblioteka e pasur me botime françeskane, literaturë mbi Islamin, si dhe vepra që evokonin historinë e Shqipërisë, Ilirisë e Dardannisë. Ishte një vend ku historia, arti dhe besimi ndërthureshin në një armoni perfekte. Duke soditur atë thesar shpirtëror, reflektova se nisma të tilla nuk ngrihen vetëm përmes mundësive materiale, por mbi të gjitha përmes pasionit, përkushtimit dhe vizionit për t'i lënë pasardhësve një dëshmi të pashlyeshme nga koha.
Edhe dreka ishte një përvojë tejet e këndshme. Mikpritja e ngrohtë dhe shija unike e peshkut e kurorëzuan në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ditë të paharruar. Pas rrugëtimit nga Pogradeci deri në Apolloni, ne të katërt – unë, bashkëshortja ime Fetaneti, motra ime Sania dhe Ibrahim Avdyli – e ndienim qartë se kishim zbuluar një tjetër cep magjik të vendit tonë.
Para se të ndaheshim prej andej, në librin e përshtypjeve shkrova këto radhë: «Ky Tempull i Shpirtit le të mbijetojë aq gjatë sa të ketë rreze dielli mbi këtë tokë!»
U largova nga “Rozafa Apollonia” me një emocion të papërsëritshëm. Kisha vizituar një qendër agroturistike e kulturore, por në realitet kisha prekur diçka shumë më të thellë: një përpjekje sublime për të ruajtur kujtesën kolektive, për të lartësuar kulturën dhe për të mbajtur ndezur zjarrin e atdhedashurisë. Është e vërtetë se disa destinacione thjesht vizitohen dhe lihen pas, ndërsa të tjera të shoqërojnë përgjithmonë, duke gjetur strehë në kujtesën tonë. Për mua, “Tempulli i Shpirtit” në Apolloni do të mbetet pikërisht një prej atyre kujtimeve, një faqe e ndritur e një udhëtimi që nuk do të zbehet kurrë nga koha.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: