Politikë
Pakënaqësi para ekzekutivit: Ish-ushtarët profesionistë kërkojnë trajtim të barabartë dhe kompensime të drejta
Reklamë e Sponsorizuar
“Nuk kërkojmë bamirësi, kërkojmë barazi”, “Dinjiteti ynë nuk është në pension” dhe “613 veteranë nuk kërkojnë fajtorë” – ishin këto mesazhet e shkruara në pankartat që mbante në duar grupi i ish-ushtarëve profesionistë gjatë protestës së zhvilluar para ndërtesës së Qeverisë, përmes së cilës ata shprehën hapur kundërshtimin e tyre ndaj pabarazive në kompensimet financiare pas përfundimit të shërbimit ushtarak.
Vidan Kiprijanovski, përfaqësues i Trupit Koordinues të Pjesëtarëve të Pensionuar të Ushtrisë, bëri të ajiur se diferencat në shumat e kompensimeve janë tejet të theksuara. Ai ilustroi këtë situatë duke shpjeguar se në të kaluarën, para ndryshimeve të legjislacionit, një gjeneral përfitonte një kompensim prej 3 mijë eurosh, ndërsa tani kjo shifër ka kapur vlerën e 25 mijë eurove.
“Prandaj, sot kërkojmë tre hapa konkretë. Së pari, kompensim të drejtë dhe të thjeshtë, të përcaktohen të drejtat e të gjithë ushtarakëve të pensionuar nga periudha e përmendur dhe të sigurohet kompensim i drejtë, me kushte më të barabarta dhe të krahasueshme, duke respektuar të drejtat e tyre ligjore. Së dyti, rishikim institucional. Kërkojmë formimin e një grupi ndërinstitucional të punës, me përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave dhe përfaqësues të ushtarakëve të pensionuar”, deklaroi Vidan Kiprijanovski gjatë fjalës së tij.
Nga ana e tij, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionistë, Aleksandar Naskovski, bëri thirrje që e gjithë shtresa e ushtarëve të pensionuar të gëzojë trajtim të njëjtë, pavarësisht faktit se kur kanë dalë në pension, para apo pas datës 14 shkurt 2024.
“Ne kemi paraqitur një ligj në Parlament për të siguruar që nuk do të ketë punësime të reja për shtatë vitet e ardhshme, gjë që do të kursente 10 deri në 12 milionë euro në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, i cili do të kompensonte ish-ushtarët në pension. Përveç kësaj, ushtarët aktualë profesionistë do të marrin gjithashtu një kontratë të pacaktuar dhe të drejtën për pension”, u shpreh Aleksandar Naskovski.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Sindikata e Mbrojtjes kishte dalë me një njoftim zyrtar ku theksonte se nuk e përkrah këtë tubim protestues, me arsyetimin se çështja tashmë ka marrë zgjidhje ligjore. Ndërkohë, vetë ish-ushtarët profesionistë në pension kanë paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre mbesin pa përgjigje dhe nuk arrihet një marrëveshje, ata janë të vendosur t'i radikalizojnë protestat e tyre në disa qytete të ndryshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: