Kronikë
Trazira dhe përplasje fizike në Tiranë: Studenti përplaset me opozitën, flakë e gaz lotsjellës ndaj policisë
Reklamë e Sponsorizuar
E shtuna në kryeqytet është shoqëruar me tensione të larta, akte dhune dhe përplasje fizike. Tubimi i sotëm ka nisur me konflikte fillimisht mes studentëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, për t'u zhvendosur më pas në një përballje të ashpër mes turmës dhe efektivëve të policisë.
Demonstrata e opozitës nisi me një marshim nga selia blu në drejtim të Kryeministrisë, nën drejtimin e deputetëve Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti dhe Tedi Blushi, ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk ishte i pranishëm në këtë tubim.
Nga ana tjetër, studentët ishin grumbulluar që prej orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit. Ata shprehën kundërshtimin e hapur ndaj bashkimit të mbështetësve demokratë në protestën e tyre, duke vendosur një kordon ndarës dhe një banderolë me mesazhin: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Debatet verbale mes dy kampeve u përshkallëzuan shpejt në dhunë fizike. Pjesëmarrësit patën debate të forta, ku disa prej tyre kritikuan ashpër klasën e vjetër politike dhe përpjekjet për t'i dhënë ngjyrime opozitare protestës së studentëve.
Situata u acarua edhe më shumë kur disa nga protestuesit i vunë zjarrin dy kazanëve të mbeturinave dhe i shtynë drejt forcave të rendit. Pasi u hodhën sende të forta drejt efektivëve, policia u kundërpërgjigj menjëherë duke përdorur spraj dhe gaz lotsjellës.
Tensionet arritën kulmin kur persona të maskuar hodhën gurë në drejtim të uniformave blu, gjë që detyroi ndërhyrjen e autobotit me ujë për shpërndarjen e turmës.
Pas episodeve të dhunës para dikasterit të arsimit, protestuesit marshuan drejt Rrugës së Durrësit në drejtim të Kryeministrisë. Gjatë kësaj lëvizjeje, ata u munduan të bllokonin qarkullimin duke vënë gurë dekorativë dhe kazanë mbeturinash në mes të rrugës.
Edhe gjatë këtij marshimi pati përplasje me efektivët e rendit, të cilët përsëri përdorën autobotin e ujit, në disa raste të përzier me lëndë irrituese, për të zmbrapsur protestuesit.
Tensionet u rindezën para goditjes së Këshillit të Ministrave, ku protestuesit lëshuan molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të ndërtesës dhe policisë, ndërsa autobotët ndërhynë për shuarjen e flakëve.
Gjatë qëndrimit në bulevard, disa të rinj u panë duke shkulur pllaka trotuari dhe duke i hedhur në rrugë për t'i përdorur si mjete sulmi ndaj policisë.
Forcat e sigurisë vijuan operacionin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke i shtyrë protestuesit nga zona e Kryeministrisë deri afër Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas disa orësh përplasjesh të vazhdueshme, protesta nisi të shuhej. Policia arriti të shpërndajë masën kryesore të njerëzve dhe ngriti një kordon përgjatë bulevardit, ku kishte mbetur vetëm një grup i vogël qytetarësh pa shkaktuar incidente të reja.
Mjetet e rënda të pastrimit ndërhynë për të hequr gurët dhe mbetjet e djegura nga rruga, duke rikthyer qarkullimin normal të automjeteve.
Ngjarja e sotme u karakterizua nga një klimë e rënduar, e shkaktuar nga vendosmëria e studentëve për të ruajtur autonominë e protestës së tyre dhe insistimit të strukturave opozitë për t'u bërë pjesë e saj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: