Politikë
Lushtaku lëshon akuza të forta ndaj Kurtit: Ndihmoi Gjykatën Speciale nga frika ndaj Thaçit dhe Veselit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Komunës së Skenderajt dhe njkohësisht ish-komandant i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, duke pohuar se kreu i ekzekutivit e ka mbështetur dhe dëshiruar funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Gjatë një interviste televizive, Lushtaku u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka nxjerrë përfitime të mëdha politike nga arrestimi dhe mbajtja në burg e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
“Unë mendoj që Albin Kurti e ka ndihmu dhe dëshiru Gjykatën Speciale, sepse gjithmonë e ka pasur frikë Hashim Thaçin, Kadri Veselin. Ai e ka thënë edhe publikisht: ‘Shko Hashim në Hagë’”, u shpreh ndër të tjera Lushtaku, duke theksuar se mungesa e tyre në skenën politike vendase i ka shërbyer agjendës së partisë në pushtet.
Më tej, ish-komandanti i UÇK-së përdori termin “argatët e Serbisë”, duke aluduar se individë të tillë operojnë si brenda territorit të Kosovës, ashtu edhe në Shqipëri, ndërkohë që në këtë diskutim përfshiu edhe ministren Donika Gërvalla.
Kritika të ashpra pati edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ndaj të cilit Lushtaku pranoi se ka humbur çdo lloj mbështetjeje dhe konsiderate.
“Kam pasur konsideratë për Ramën, por sot e kam zero”, deklaroi ai, duke shprehur hapur pakënaqësinë e tij lidhur me disa emërime në pozicione kyçe shtetërore në Tiranë: “Vendosja e njerëzve që kanë çuar ujë te mulliri i Serbisë, nuk po e kuptoj zotin Rama”.
Në fokus të kritikave të tij ishte edhe qasja e kryeministrit Kurti karshi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke e ngarkuar me përgjegjësi për ftohjen e marrëdhënieve rajonale.
Duke lënë pas zhvillimet e ditës, Lushtaku solli në vëmendje kujtimet nga vitet e luftës, duke evokuar sakrificën e bashkëluftëtarëve të tij dhe duke pohuar se ende vazhdon t’i nderojë ata pranë varreve të tyre në orët e vona: “Shkoj në 3 të natës të vizitoj shokët e rënë në luftë”.
“Lufta e UÇK-së nisi me 7-8 veta”, rikujtoi ai, duke evokuar hapat e parë të organizimit të kryengritjes së armatosur për liri.
Gjatë bisedës, ai preku gjithashtu çmimin e hidhur të luftës, përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale, ku duke iu referuar shifrës zyrtare prej 20 mijë viktimash, kritikoi institucionet shtetërore për ngecjen në regjistrimin dhe trajtimin e plotë të kësaj kategorie.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: