Aktuale
Gjysmëqind zyrtarë kosovarë nisën angazhimin në burgjet daneze, sindikata lëshon alarmin
Reklamë e Sponsorizuar
Një grup prej 23 zyrtarësh korrektues nga Kosova, të cilët më parë kanë kryer trajnime të specializuara në Danimarkë, kanë nisur zyrtarisht angazhimin e tyre gjatë kësaj jave në tri institucione korrektuese daneze: Ringe, Vestre dhe Storstrøm.
Prania e tyre në këto qendra do të zgjasë për gjashtë muaj, periudhë gjatë së cilës ata do të veprojnë si pjesë e pandashme e stafit të rregullt, duke u kujdesur për shërbimin në pavijone dhe duke lëvizur lirshëm e në mënyrë të pavarur nëpër korridoret e këtyre burgjeve.
Megjithatë, kjo nismë kishte hasur në kundërshtime të forta që në vitin 2024 nga ana e Sindikatës së Zyrtarëve Korrektues në Danimarkë, menjëherë pasi autoritetet politike vendosën që një delegacion i gardianëve kosovarë të stërvitej brenda sistemit danez.
Në atë kohë, ish-kryetari i sindikatës, Bo Yde Sorensen, kishte shprehur hapur rezervat e tij për përfshirjen e tyre të drejtpërdrejtë në zonat e ndjeshme të burgjeve.
“Ne në asnjë rrethanë nuk duhet t'i kemi ata në korridoret e burgjeve tona me tufën e tyre të çelësave”, kishte deklaruar ai.
Pavarësisht kësaj fushate kundërshtuese, 23 punonjësit nga Kosova tanimë kanë hapur dyert e institucioneve korrektuese daneze për të ushtruar detyrën.
Autoritetet përgjegjëse për burgjet në Danimarkë e kanë konfirmuar këtë hap, duke e radhitur si pjesë të programit të detajuar të përgatitjes për funksionalizimin e plotë të burgut të ri që pritet të hapet në Gjilan.
Guvernatori Mads Beyer, i cili do të udhëheqë burgun e ardhshëm në qytetin e Gjilanit, ka sqaruar arsyet e këtij bashkëpunimi operativ.
“Është pjesë e planit të trajnimit që është hartuar për t'u përgatitur për funksionimin e burgut që do të hapem më vonë në Gjilan të Kosovës”, ka deklaruar Beyer.
I pyetur nëse ky angazhim do të ndodhte sikur burgjet daneze të mos vuanin nga mungesa e theksuar e stafit dhe mbipopullimi i të burgosurve, ai ka pranuar se edhe ky faktor ka pasur ndikimin e vet.
“Është e vërtetë se kjo, natyrisht, është gjithashtu një pjesë e madhe e kësaj”, ka theksuar ai.
Ndryshe nga viti 2025, kur zyrtarët ishin kryesisht vëzhgues që shoqëronin stafin lokal, kësaj radhe ata do të integrohen plotësisht në oraret zyrtare të punës dhe do të ndajnë detyrat krah për krah me kolegët danezë.
“Javët e para ata ndoshta do të punojnë së bashku me një koleg danez, por përndryshe qëllimi është që të hyjnë në shërbim së bashku me kolegë të mirë dhe me përvojë nga Danimarka”, ka deklaruar Beyer.
Kjo zhvillim vjen në një moment tejet delikat për sistemin korrektues danez, i cili po përballet me nivele historike të mbipopullimit të burgjeve.
Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, qendrat e paraburgimit dhe vuajtjes së dënimit në Danimarkë kanë shënuar shifrat më të larta të mbingarkesës, duke strehuar një numër personash që tejkalon ndjeshëm kapacitetet e tyre zyrtare.
Kryetari aktual i Sindikatës së Zyrtarëve Korrektues, René Larsen, ka ngritur alarmin se rikthimi i stafit kosovar është pasojë e krizës së thellë të burimeve njerëzore me të cilën po përballet shteti danez.
“Ky ishte shqetësimi ynë dhe tani po bëhet realitet. Mund ta shoh se kjo do të sjellë disa vështirësi”, ka deklaruar Larsen.
Ai ka shtuar se sindikata do të kishte preferuar që sfidat e mungesës së personelit të adresoheshin përmes politikave të brendshme të rekrutimit dhe ruajtjes së gardianëve vendorë në vende të punës.
“Sigurisht, mund të thuhet se kjo është më mirë sesa asgjë, por, gjithsesi, ne do të preferonim të arrinim qëllimin përmes rekrutimit dhe mbajtjes së personelit, si dhe uljes së mungesave në punë për shkak të sëmundjeve. Pikërisht për këtë bëhet fjalë”, ka shtuar ai.
Në fund, Larsen ka vënë në pikëpyetje nëse faza e deritanishme e trajnimit është plotësisht e mjaftueshme për t'i pajisur ata me shkathtësitë e duhura për realitetin e burgjeve daneze.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: