Aktuale
Tragjedia e shqiptarëve në qelitë jugosllave: Mbi 666 shekuj burgim politik gjatë periudhës 1945-1990
Reklamë e Sponsorizuar
Përtej gjashtë shekujve e gjysmë burgim politik kanë vuajtur shqiptarët e Kosovës gjatë kohës së regjimit ish-jugosllav, një histori dhune dhe shtypjeje e dokumentuar në detaje në botimin e njohur të autores Sabile Keçmezi-Basha.
Sipas të dhënave të paraqitura në librin “Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, shqiptarët kanë vuajtur gjithsej 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burgim politik. Ky studim voluminoz u botua në vitin 2009 nga shtëpia botuese “Logos-A” në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, duke u shndërruar në një dëshmi kyçe për periudhën e okupimit të Kosovës nga Serbia dhe ish-Jugosllavia.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, studiuesja Keçmezi-Basha ka bërë të ditur se nga viti 1945 deri më 1990 janë dënuar me burgim të rëndë politik gjithsej 9 mijë e 220 shqiptarë, të cilëve u janë shqiptuar gjithsej 66 mijë e 672 vjet e 7 muaj heqje lirie. Ajo theksoi se mesatarja e dënimeve kapte shifrën prej 7 vjetësh e 1 muaji, ndërsa në këtë bilanc tragjik përfshihen edhe 1 mijë e 346 ushtarë shqiptarë, nga të cilët 63 humbën jetën brenda kazermave ushtarake.
“Vetëm në burgje shqiptarët ishin shumicë. Nga viti 1945 deri në vitin 1990 u dënuan me burgim të rëndë mbi 7.684 + 1.536 persona, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim, apo, të shndërruara në shekuj, shqiptarët gjatë regjimit të egër jugosllav kaluan në burgje 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj. Sipas analizës së të dhënave, mesatarja e dënimeve me burgim që u ishin shqiptuar shqiptarëve për ‘vepra penale politike’ ishte 7 vjet e 1 muaj. Nëse kjo mesatare e dënimeve shumëzohet me 3.348 veta, që ishin dënuar gjatë viteve 1981-1990, del se vetëm në këtë periudhë shqiptarëve u ishin shqiptuar rreth 23.770,8 vjet burgim”, u shpreh Keçmezi-Basha.
Autorja ka sjellë në vëmendje edhe shifrat alarmante të vitit 1981, ku vetëm pas datës 11 mars të atij viti, pesë gjykata të ndryshme organizuan mbi 36 procese gjyqësore politike. Në këto gjykate u dënuan mbi 297 shqiptarë me dënime që varionin nga 1,6 deri në 15 vjet burgim. Ndërkohë, strukturat policore serbe, nga marsi i vitit 1981 deri në tetor të vitit 1989, ushtruan dhunë dhe keqtrajtime ndaj më shumë se 580 mijë shqiptarëve, duke kaluar nga kërcënimet deri te rrahjet brutale që linin pas humbje të vetëdijes.
“Vetëm gjatë vitit 1981 (sipas të dhënave të shtypit), kuptohet pas 11 marsit, në mbarë Kosovën, gjykatat e qarkut në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë organizuan mbi 36 procese gjyqësore politike, në të cilat u dënuan mbi 297 veta, me 1,6 deri në 15 vjet burgim të rëndë. Nga policia, prej marsit 1981 deri në tetor 1989, u trajtuan 584.373 shqiptarë”, shtoi ajo.
Ky libër prej 600 faqesh është fruti i një hulumtimi të gjerë që mbështetet në dokumente arkivore, literaturë shkencore, historike dhe dokumentare. Një rol kyç në këtë projekt kanë luajtur edhe dëshmitë e vetë ish-të burgosurve politikë, të cilët ndanë përvojat e tyre personale dhe dokumentacionin që kishin ruajtur. Interesimi për këtë vepër ka qenë i jashtëzakonshëm që në ditët e para, ku të gjitha kopjet e disponueshme u shitën brenda një muaji nga publikimi.
“Krahas burimeve arkivore, hulumtimi është mbështetur edhe në literaturë shkencore, historike dhe dokumentare, e cila ka shërbyer për plotësimin, krahasimin dhe kontekstualizimin e të dhënave të mbledhura. Një kontribut të veçantë në realizimin e këtij studimi kanë dhënë edhe vetë ish-të burgosurit politikë shqiptarë, të cilët, përmes gatishmërisë për bashkëpunim, dëshmive personale dhe dokumentacionit që kishin në dispozicion, kanë ndihmuar në pasurimin e bazës burimore të hulumtimit”, theksoi autoria.
Edhe pse kanë kaluar afro dy dekada që nga botimi i tij i parë, Keçmezi-Basha vë në pah se ky libër ruan ende të njëjtin rëndësi dhe interesim të lartë nga lexuesit dhe studiuesit e historisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: