Aktuale
Gënjeshtrat i zbulohen nga fotot e ish-të dashurës, drejtësia britanike urdhëron dëbimin e trafikantit shqiptar
Reklamë e Sponsorizuar
Një trafikant droge nga Shqipëria, i cili u përpoq t'i shmangej dëbimit duke sajuar një histori se ishte trafikuar dhe mbyllur në një fabrikë kanabisi në Mbretërinë e Bashkuar, është rrëzuar nga provat e pakundërshtueshme të publikuara në rrjetet sociale nga ish-partnerja e tij, të cilat e tregonin atë duke festuar në momente të rëndësishme jetësore.
Igli Hazizaj kishte pretenduar përpara autoriteteve se rrezikonte jetën nëse kthehej në Shqipëri, gjoja për shkak të një borxhi që familja e tij i kishte një bande të krimit të organizuar. Megjithatë, pretendimet e tij u shkatërruan plotësisht pasi ish-e dashura e tij shpërndau foto online, ku ai shfaqej duke i propozuar për martesë në Mançester, duke marrë pjesë në një festë beqarie në Uells dhe duke festuar ceremoninë e diplomimit të saj në Swansea.
Një gjyqtar në Qendrën e Drejtësisë Civile të Mançesterit ka lëshuar urdhrin zyrtar për kthyen e 28-vjeçarit në atdhe, pasi konstatoi se ai kishte “fabrikuar të gjithë rrëfimin e tij”.
Në shkurt të vitit 2025, Hazizaj u dënua me dy vjet burg pasi u shpall fajtor për komplot për prodhim kanabisi. Gjatë seancës në Gjykatën e Kurorës në Carlisle, u bë e ditur se ai ishte “organizatori kryesor i lëvizjes” në një rrjet kriminal që kishte shndërruar tri shtëpi të qytetit në ferma kanabisi, me një potencial fitimi që i kalonte 2 milionë paund në vit.
Megjithëse në dhjetor të vitit të kaluar u vendos dëbimi i tij, Hazizaj bëri apel. Gjatë seancës në Mançester, ai insistoi se ishte sjellë me forcë në Britani dhe ishte detyruar të punonte në kultivimin e lëndëve narkotike për shkak të borxheve të babait, duke shtuar se ndodhej në “rrezik real për dëme serioze në Shqipëri”.
Ministria e Brendshme britanike hodhi poshtë çdo akuzë të tij, duke evidentuar “mospërputhje të shumta” në versionin e ngjarjeve. Të dhënat e fluturimeve treguan qartë se Hazizaj kishte udhëtuar disa herë drejt dhe nga Shqipëria në periudhat kur ai pretendonte se mbahej rob.
Gjithashtu, gjykata mësoi se ai do të ekstradohet në Shqipëri edhe pasi është dënuar me nëntë muaj burgim, sepse ishte kapur duke tentuar të udhëtonte nga Tirana në Barcelonë me një pasaportë greke të falsifikuar.
Gjyqtari Chris Cole, gjatë rrëzimit të apelit, theksoi se Igli Hazizaj kishte sajuar çdo detaj të historisë së tij. Ai u shpreh se apeluesi nuk arriti të provonte vërtetësinë e rrëfimit dhe se historia e udhëtimeve, dokumentet e rreme dhe mënyra e jetesës dëshmojnë qartë se ai nuk ka qenë kurrë viktimë e trafikimit.
Në seancën dëgjimore të datës 28 tetor, Hazizaj nuk u paraqit. Autoritetet bënë me dije se përpjekjet për ta lokalizuar atë përmes ish-partneres dhe studios ligjore që e mbrojtur më parë rezultuan totalisht të pasuksesshme.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: