Politikë
Siguria e të miturve në epokën digjitale, Gërvalla bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë rajonal
Reklamë e Sponsorizuar
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në panelin e dytë të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ku fokusi kryesor i diskutimeve ka qenë siguria e fëmijëve ndaj dhunës dhe parandalimi i abuzimit nëpërmjet hapësirave digjitale.
Gjatë fjalës së saj, ajo vuri në pah detyrimin themelor kushtetues të shtetit për të garantuar mbrojtjen e të miturve, duke kërkuar që ligjet penale të përshtaten për të përfshirë çdo formë të shfrytëzimit seksual, duke filluar nga joshja dhe manipulimi online e deri te krijimi dhe qarkullimi i materialeve me përmbajtje abuzive ndaj fëmijëve.
“Legjislacioni penal duhet t'u përgjigjet të gjitha formave të shfrytëzimit seksual, përfshirë joshjen dhe manipulimin e fëmijëve përmes internetit, të njohur si “grooming”. Abuzuesit fitojnë besimin e fëmijëve dhe i manipulojnë gradualisht për t'i përgatitur për abuzim seksual. Nuk mund të presim që abuzimi të ndodhë për të ndërhyrë. Kjo kërkon trajtim në përputhje me standardet e Konventës së Lanzarotes”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, ajo veçoi dispozitat mbrojtëse brenda Kodit të Drejtësisë për to Mitur, të cilat kufizojnë marrjen në pyetje të viktimave të mitura në maksimum dy herë dhe lejojnë shfrytëzimin e dëshmive të filmuara si prova valide.
“Si fushë konkrete të bashkëpunimit rajonal propozoj trajnime të përbashkëta për intervistimin e fëmijëve dhe përdorimin e dëshmive, për të siguruar prova të besueshme dhe për të shmangur ritraumatizimin e tyre”, shtoi Gërvalla.
Ministrja vuri gjithashtu në dukje domosdoshmërinë e krijimit të mjeteve efektive të denoncimit dhe të një koordinimi më të fortë ndërmjet organeve të drejtësisë, strukturave të kujdesit social dhe atyre shëndetësore.
“Përgjegjësia jonë është të sigurojmë që legjislacioni penal t'u përgjigjet metodave gjithnjë në ndryshim të abuzimit dhe që mbrojtja e fëmijëve të garantohet në praktikë. Për këtë, bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm”, përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: