Politikë
Turizmi malor në Librazhd merr hov, inaugurohen ballkonet panoramike në Steblevë dhe paralajmërohet projekti zipline
Reklamë e Sponsorizuar
Fshati piktoresk Llangë, pjesë e Njësisë Administrative Steblevë në Bashkinë e Librazhdit, është pasuruar me dy ballkone të reja panoramike. Ky projekt ka për qëllim kryesor nxitjen e turizmit malor dhe angazhimin më të madh të brezave të rinj në aktivitete natyrore.
Iniciativa ka marrë jetë falë një bashkëfinancimi mes Bashkisë së Librazhdit dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë, duke krijuar një hapësirë që lidh vizitorët ngushtësisht me bukuritë e egra të zonës.
Kryetari i Bashkisë, Mariglen Disha, ka vlerësuar lart partneritetin me AKR-në, duke shprehur vullnetin për të marrë pjesë edhe në thirrjet e ardhshme për fonde, me qëllim realizimin e nismave të tjera zhvillimore në dobi të komunitetit.
“Bashkë me drejtoreshën e Përgjithshme të AKR-së dhe dy deputetët e bashkisë së Librazhdit jemi në fshatin Llangë të njësisë Administrative Stëblevë për të parë nga afër përfundimin e punimeve të dy ballkoneve panoramike. Shpresojmë të aplikojmë për thirrje që do hapen në vazhdim për të financuar ndonjë projekt të mundshëm për bashkinë e Librazhdit”, u shpreh kryebashkiaku Disha.
Nga ana e saj, drejtoresha e Përgjithshme e AKR-së vuri në dukje se ky investim nuk do të funksionojë vetëm si një atraksion i ri për udhëtarët, por edhe si një mundësi e shkëlqyer për të afruar rininë pasioneve dhe sporteve në natyrë.
“Jam shumë e lumtur që sot po shikojmë gjithë këtë investim. Në fakt përpos faktit që do jetë një pikë shumë e rëndësishme për rininë, do të jetë pikë e rëndësishme turistike. Me këtë rast dhe të rinjtë duhet ti sjellim sa më shumë që të afrohen edhe me natyrën, por dhe me aktivitete që i ofron zona”, theksoi ajo.
Ndërkohë, deputetja Bora Muzhaqi e vuri theksin tek ndërthurja e suksesshme e dy prioriteteve kryesore: zhvillimit turistik dhe fuqizimit të rinisë, duke përmendur gjithashtu perspektivën e hapjes së shtigjeve të reja për guida malore dhe instalimin e mundshëm të një sistemi zipline.
“Në nga fokuset e kryetarit që kur ka filluar punën si kryetar bashkie ka qenë turizmi dhe të rinjtë kanë qenë gjithmonë mbështetje me idetë kreative që kanë patur dhe sa bukur që sot kemi një kombinim të të dyja fushave. Është një projekt që i shërben turizmit që tashmë numrat i kemi gjithnjë në rritje në Librazhd por edhe të rinjtë të kombinohen. Ne kemi shumë të rinj që janë trajnuar për të bërë guida malore dhe pse jo do të kenë dhe zipline”, deklaroi Muzhaqi.
Të vendosura ballë për ballë me kullat tradicionale shekullore të Llangës, këto ballkone panoramike përfaqësojnë një vlerë të shtuar për hartën turistike të Librazhdit, duke u ofruar vizitorëve një përvojë të paharrueshme në peizazhet mahnitëse të Steblevës.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: