Politikë
Shtyrja e diplomimit të kadetëve policorë, Kurti ia kalon përgjegjësinë ministrisë së Sveçlës për mungesën e uniformave
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me shqetësimet për mungesën e uniformave dhe pajisjeve logjistike për pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës, situatë kjo që thuhet se ka çuar në shtyrjen e ceremonisë së diplomimit për gjeneratën e 63-të të kadetëve.
I ballafaquar nga gazetarët me pyetje rreth këtij problemi, kreu i ekzekutivit ia ka adresuar përgjegjësinë dikasterit të Punëve të Brendshme, duke theksuar se detajet rreth proceseve të furnizimit i takojnë ministrisë që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla.
Në vend të një sqarimi konkret për vonesat në pajisjen e zyrtarëve të rinj me uniforma, kryeministri ka preferuar të fokusohet te mbështetja buxhetore që qeveria i ka dhënë sektorit të sigurisë.
“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua jep përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, u shpreh Kurti.
Pavarësisht sfidave dhe pakënaqësive të ngritura rreth mungesave materiale, ceremonia zyrtare e diplomimit për gjeneratën e 63-të është caktuar të mbahet sot duke filluar nga ora 16:30, ku strukturave të sigurisë vendase pritet t'i shtohen mbi 300 zyrtarë të rinj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: