Politikë
Përplasja për ndriçimin inteligjent: Ilir Kërçeli fton Përparim Ramën në një ballafaqim televiziv
Reklamë e Sponsorizuar
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka vijuar distancimin dhe kritikat ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas shpjegimeve të dhëna nga ky i fundit rreth kostos së shiritit nëntokësor që bën pjesë në kontratën për ndriçimin inteligjent.
Nëpërmjet një videomesazhi të shpërndarë për publikun, Kërçeli e ka cilësuar qasjen e kryetarit të kryeqytetit si joprofesionale, duke rihapur pikëpyetjet e mëparshme mbi tarifat dhe shërbimet e kontraktuara.
“Nuk mund t’u besoja syve se çfarë ke postuar. Si ka mundësi që një kryetar të bjerë në një nivel të tillë amatorizmi? Ata që i kemi bërë zhurmë tërë ditën, të konsultohemi se si të reagojmë, pastaj të vendosim për këtë lajthitje, kryetar!”, u shpreh Kërçeli.
Gjithashtu, ligjvënësi i partisë në pushtet kërkoi llogari nga Rama mbi shtimin e çmimeve dhe faturimin e pajisjeve shtesë brenda të njëjtës marrëveshje.
“Si ka mundësi që rritjen e çmimit? Si ka mundësi që e ke faturuar kronometrin? Çka ndodhi me 7 euro, regjistër?”, ishin pyetjet e ngritura nga deputeti.
Kërçeli hodhi poshtë edhe argumentimin e të parit të Prishtinës se shuma prej 8.50 eurosh për metër përfshin furnizimin, transportimin, instalimin, garancinë dhe mirëmbajtjen për një periudhë dhjetëvjeçare.
“Si ka mundësi, kryetar, që për një shirit plastik të deklaroni se ka garanci, mirëmbajtje dhe licencë? Për një shirit që është vendosur në tokë, kryetar, si arkitekt që je, nuk do të duhej të bije në këtë nivel. Më mirë të mos kishe reaguar fare, sesa ta kishe bërë këtë gabim”, shtoi ai.
Në kuadër të këtij reagimi, deputeti njoftoi se ka përfshirë në video edhe një tabelë krahasuese, përmes së cilës synon t'u dëshmojë qytetarëve shpenzimet e një ndërmarrjeje tjetër publike në vend për një metër të ngjashëm gjatësi shiriti në një punë të përfunduar.
Në fund të mesazhit të tij, Kërçeli lëshoi një sfidë publike për Ramën, duke i propozuar që të caktojnë një medium dhe një gazetar për t'u ballafaquar në një debat të hapur rreth menaxhimit të buxhetit komunal.
“Kryetar, më mirë zgjidhe një televizion, një moderator, merr kontratat dhe të shkojmë të debatojmë e t'u arsyetohemi qytetarëve të Prishtinës se çfarë i ke bërë buxhetit të kryeqytetit”, deklaroi ai.
Sipas tij, debati nuk ka motive personale, ndërsa u shpreh i habitur për përmendjen e kryeministrit Albin Kurti nga ana e kryetarit të Prishtinës.
“Nuk ka të bëjë me inate personale. Nuk e di pse po e fut në këtë mes kryeministrin Albin Kurti. Thjesht, hajde të shkojmë e të debatojmë profesionalisht dhe t'u tregojmë qytetarëve se çfarë ka ndodhur me këtë kontratë, por edhe me kontratat e tjera”, përmbylli Kërçeli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: