Aktuale
Skandali në Spitalin e Gjilanit: Pacientët detyrohen të sigurojnë vetë edhe materialet më elementare kirurgjikale
Reklamë e Sponsorizuar
Mungesa e furnizimeve bazike mjekësore vazhdon të përbëjë sfidë serioze për institucionet shëndetësore në vend. Një rast i tillë është regjistruar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, ku qytetarët po ballafaqohen me mungesën e materialeve elementare për ndërhyrje kirurgjikale, siç janë penjtë mjekësorë.
Gjatë vizitës së gazetarëve në këtë qendër spitalore, një familjar pacientësh ka dëshmuar se është detyruar që vetë të blejë katër copë penj kirurgjikë për një operacion ortopedik. Ndonëse vlera monetare nuk ka qenë e lartë, rreth dy euro për copë, qytetari ka shprehur indinjatë të thellë për këtë situatë.
"As në Afrikë nuk ndodh që pacientët të blejnë vetë materiale kaq elementare, e lëre më në Kosovën e lirë", është shprehur ai i revoltuar, duke kritikuar ashpër kushtet dhe mungesën e furnizimeve në spitalet publike.
Përveç penjve kirurgjikë që bëjnë pjesë në materialet e Listës Esenciale, familjari u vu përballë një shpenzimi edhe më të rëndë financiar. Për shkak të natyrës urgjente të rastit dhe frakturës që kishte pësuar i afërmi i tij, ai u detyrua të blejë privatisht edhe protezën ortopedike, e cila i kushtoi plot 1100 euro.
Kjo situatë vjen pavarësisht se ShSKUK-ja kishte njoftuar më 28 tetor për pranimin e kontingjentit të parë të protezave. Megjithatë, materialet ende nuk janë shpërndarë në spitalet rajonale dhe operacionet përkatëse nuk kanë nisur, edhe pse janë paralajmëruar prej kohësh.
Vonesa të tilla vazhdojnë të ndodhin ndonëse kanë kaluar tashmë katër muaj prej kohës kur është nënshkruar kontrata në vlerë prej afër 8 milionë euro, e destinuar pikërisht për furnizimin me proteza dhe materialet e domosdoshme të Listës Esenciale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: