Politikë
Debati për shiritin nëntokësor në Prishtinë, Rama i kërkon deputetit të VV-së të lexojë kontratën para se të flasë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, rreth dyshimeve për keqpërdorime nga ana e komunës lidhur me një kontratë për shirita nëntokësorë.
Rama e ka cilësuar këtë situatë si shfaqjen e radhës politike të opozitës, duke theksuar se deputeti Kërçeli po dezinformon opinionin publik. Sipas tij, paraqitja e çmimit të një shërbimi të plotë vetëm si vlerë e një materiali është veprim i papranueshëm, ndërsa ka sqaruar se shuma prej 8.50 euro për metër, përfshirë TVSH-në, mbulon një sërë operacionesh komplekse.
Këtu përfshihen sigurimi i materialit, transporti, angazhimi i fuqisë punëtore, vendosja e shiritit në kanalin përkatës nga specialistët, si dhe garancia dhe mirëmbajtja dhjetëvjeçare pa shpenzime shtesë. Kreu i kryeqytetit ka shtuar se kjo procedurë është shqyrtuar tashmë nga institucionet kompetente, duke përfshirë Organin Shqyrtues të Prokurimit, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, auditorët e brendshëm e të jashtëm, si dhe organet e hetuesisë.
Duke iu drejtuar Kërçelit, Rama ka theksuar se bëhet fjalë për një shirit nëntokësor që shërben për të sinjalizuar praninë e kabllove elektrike, duke parandaluar dëmtimet dhe rrezikun për punonjësit gjatë gërmimeve të ardhshme nga ndërmarrjet si Ujësjellësi, KEDS-i apo Termokosi.
Në fund, i pari i Prishtinës ka paralajmëruar se do t'i ndjekë rrugët ligjore për çdo shpifje ndaj tij, duke i suguruar deputetit që para se të dalë me deklarata publike, të lexojë dhe të kuptojë me kujdes dokumentacionin zyrtar.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: