Politikë
Mucunski: Raporti i KE-së nuk është kritikë, kërkojmë një rrugë të qartë dhe të besueshme drejt BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, gjatë një paraqitjeje televizive në edicionin e lajmeve të Sitel, ka diskutuar gjerësisht rreth gjetjeve të raportit më të fundit të Komisionit Evropian, ecurisë së reformave dhe pengesat në procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas shefit të diplomacisë, dokumenti në fjalë përbën një pasqyrë reale dhe të drejtpërdrejtë të situatës aktuale, duke evidentuar progresin e arritur në disa sektorë, ndërkohë që vë në pah fushat ku kërkohet angazhim shtesë.
“Unë nuk do t’i quaja kritika, por udhëzime për atë që duhet të bëjmë për t’u përmirësuar. Përmbajtja e këtij raporti është në interesin tonë. Nuk duhet ta shohim si detyrim ndaj Bashkimit Evropian, por si detyrim ndaj qytetarëve tanë, sepse bëhet fjalë për standarde të larta, në të cilat prej vitesh investojmë kohë dhe burime serioze”, u shpreh ai.
Mucunski vuri në dukje se në sferën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, shteti vazhdon të kryesojë me vlerësimet më të larta ndër vite, gjë që dëshmon orientimin e qartë strategjik dhe dinamikën e tij në arenën ndërkombëtare.
Ndërkaq, duke u ndalur te fushat që shfaqin ngecje, ministri theksoi se sukseset në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit nuk varen vetëm nga vendimet e pushtetit ekzekutiv.
“Çështja nuk është vetëm se cilat ligje do të miratojmë si Qeveri, por edhe se si do të zbatohen ato dhe çfarë rezultatesh konkrete do të japin institucionet, veçanërisht sistemi gjyqësor në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, shtoi ministri.
Lidhur me dimensionin politik të dokumentit, ai bëri thirje që vëmendja të përqendrohet te substanca dhe vlerësimet e Brukselit, duke përshëndetur instrumentet e reja për afrim gradual, qasjen e mbështetur te meritat dhe përpjekjet për shmangien e bilateralizimit të procesit të zgjerimit.
“Në historinë tonë të integrimit evropian kemi dëgjuar shumë inkurajime dhe shumë herë kemi folur për dritare mundësish. Tani presim angazhim dhe rezultate të përbashkëta. Nuk themi se vetëm Bashkimi Evropian duhet të japë rezultate ndaj nesh. Edhe ne duhet të përfshihemi aktivisht, t’i zbatojmë reformat dhe të sigurojmë një kornizë të parashikueshme dhe të sigurt për rrugën tonë drejt integrimit evropian”, theksoi Mucunski.
Sa i takon çështjeve të pazgjidhura në këtë rrugëtim, ai përsëriti se çdo zgjidhje duhet të mbështetet mbi parime të qarta, duke hedhur poshtë idenë e vendosjes së afateve artificiale.
“Nuk kemi premtuar se do të gjejmë zgjidhje brenda gjashtë muajve apo një viti. Po punojmë hap pas hapi, jo vetëm për përmirësimin, por edhe për rikthimin e disa pozicioneve që më parë nuk i kemi pasur. Në të njëjtën kohë, nuk heqim dorë nga integrimi evropian. Edhe deklaratat tona, edhe ajo që bëjmë në praktikë, janë dëshmi për këtë”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Mucunski nënvizoi rëndësinë e llogaritjes së pasojave dhe pritshmërive afatgjata në çdo hap të ndërmarrë.
“Nuk jemi të gatshëm që në mënyrë naive apo pa menduar për pasojat të hyjmë në një proces për të cilin kemi informacione të drejtpërdrejta se pas një hapi do të pasojnë edhe pritshmëri të tjera. Këto procese nuk janë të lehta dhe zgjasin shumë”, përfundoi ai, duke shtuar se mbështetja e gjerë qytetare dhe vendosmëria qeveritare për vlerat evropiane duhet të njihen nga strukturat e Bashkimit Evropian.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: