Aktuale
Skandal te Akademia Ushtarake: Për herë të parë mungojnë kadetët shqiptarë, reagon ashpër BDI
Reklamë e Sponsorizuar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka dalë me një reagim të fortë publik, duke denoncuar faktin se për herë të parë që nga themelimi i Akademisë Ushtarake në vitin 1995, asnjë kadet i komunitetit shqiptar nuk është pranuar në radhët e saj.
Sipas kësaj partie, ky zhvillim alarmant ngre pikëpyetje të mëdha mbi peshën dhe ndikimin real të koalicionit VLEN brenda institucioneve të shtetit, ku përfaqësimi i shqiptarëve nuk duhet të mbetet thjesht një zotim në letër, por një e vërtetë e prekshme institucionale.
"Megjithatë, përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te VLEN-i. Ekzekutivi duhet të vetëdijësohet se besimi reciprok ndërmjet partnerëve nuk fitohet me fjalë boshe, por me mishërimin e barazisë, përfaqësimit dhe akteve politike. Akoma më alarmant është fakti se këto vendime godasin drejtpërdrejt frymën e Marrëveshjes së Ohrit, dëmtojnë përfaqësimin e drejtë dhe proporcional, si dhe rrezikojnë ekuilibrin e marrëdhënieve ndëretnike në vend", theksohet në reagimin e BDI-së.
Në fund të deklaratës, kjo forcë politike i bën thirrje VLEN-it që të japë llogari publike: "Ku u tretun premtimet për përfaqësim? Kështu nuk krijohet besim, nuk mbrohen të drejtat dhe nuk konsolidohet bashkëjetesa ndërinstitucionale. Ky nuk është përfaqësim i denjë për shqiptarët! Përfaqësimi nuk përbën një privilegj, por një parim bazë, i cili nuk guxon të bëhet kurrë viktimë e pazareve dhe kalkulimeve politike".
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: