Politikë
Kriza energjetike, BE rekomandon uljen e konsumit, fikjen e dritave natën dhe mbështetje për familjet në nevojë
Reklamë e Sponsorizuar
Komisioni i Evropian ka ndarë me shtetet anëtare një sërë rekomandimesh urgjente për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë, të nxitura nga situata e tensionuar në Lindjen e Mesme. Në një letër drejtuar 27 ministrave të energjisë të mbledhur në Dublin, Komisioneri i Energjisë i BE-së, Dan Jorgensen, ka bërë publik katalogun e masave që synojnë uljen e menjëhershme të kërkesës për gaz, energji elektrike dhe naftë.
Ndër masat kryesore të sugjeruara për qeveritë kombëtare përfshihen ulja e konsumit gjatë orëve të pikut, kufizimi i ngrohjes në ndërtesat publike dhe fikja e dritave të panevojshme gjatë natës. Këto udhëzime bazohen tek plani AccelerateEU, i cili ndërthur ndërhyrjet në uljen e kërkesës me përshpejtimin e investimeve në burimet e rinovueshme dhe efikasitetin energjetik, shkruan Ansa.
Mbështetja sociale dhe kushtëzimi i ndihmave për industrinë
Përveç thirrjeve për kursim, paketa vë theksin edhe tek mbrojtja e shtresave në nevojë dhe ekonomisë. Rekomandimet e Brukselit përfshijnë mekanizma konkretë mbështetës, të tillë si kuponët e energjisë, tarifat sociale, çmimet e rregulluara përkohësisht, si dhe uljen e akcizave dhe taksave mbi energjinë elektrike.
“Ulni konsumin e energjisë elektrike gjatë orëve të pikut, kufizoni ngrohjen në ndërtesat publike dhe fikni dritat e panevojshme natën,”theksohet në udhwzimet e dërguara ministrave gjatë takimit informal të Këshillit të Energjisë.
Nga ana tjetër, ndihmat për industritë që konsumojnë sasi të mëdha energjie parashikohet të kushtëzohen nga kalimi te praktika më të gjelbra. Ndërkohë, katalogu nxit gjithashtu transportin e pastër, përmes stimujve për makinat elektrike, infrastrukturën e karikimit dhe zhvillimin e hekurudhave e shtigjeve të biçikletave, ndonëse të gjitha këto masa mbeten të natyrës rekomanduese dhe jo detyruese për vendet anëtare, transmeton rtsh.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: