Politikë
Emërimet e familjarëve në diplomaci, Glauk Konjufca shfajësohet: Listat më vijnë të gatshme, unë vetëm i firmos
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, është ballafaquar me pyetje rreth punësimeve të familjarëve dhe individëve afër Lëvizjes Vetëvendosje në misionet diplomatike të Kosovës.
Gjatë prononcimit të tij, Konjufca ka kërkuar të shkëputë veten nga përgjegjësia direkte mbi këto vendime, duke theksuar se nuk merret me përzgjedhjen e emrave dhe se dokumentacioni i dorëzohet i gatshëm vetëm për firmë.
“Nuk merrem me emra të veçantë. I kemi bërë 54 lëvizje në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Këtu është një komision profesional që e kemi caktuar, përbëhet edhe prej ambasadorëve. Unë nuk merrem me emra. Ata vetëm m’i sjellin, unë i nënshkruaj”, është shprehur Konjufca.
Ndër rastet specifike të ngritura para kryediplomatit bëjnë pjesë: Rina Dragidella në Uashington të SHBA-së, e cila është mbesa e ministrit të Punëve të Jashtme (!); Kaltrina Dalipi në Berlin të Gjermanisë, vajza e axhës së Luan Dalipit (ish-shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti); Lumturie Lipoveci në Hagë të Holandës, tezja e deputetes së VV-së, Krenare Qerkini; si dhe Njazi Ajvazi në Kopenhagë të Danimarkës, ish-anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë.
Këto zhvillime vijnë në një periudhë kur skena diplomatike po përballet me valë kritikash për shkak të pranisë së lartë të familjarëve dhe militantëve të partisë në pushtet.
Në të kaluarën, kur subjekti i tij gjendej në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe personalisht Konjufca kishin qenë ndër zërat më të ashpër kundër praktikave të ngjashme të qeverive të mëparshme, duke i cilësuar ato si akte të pastra të nepotizmit dhe kapjes politike të shtetit.
Atëkohë, kritikat e tyre shënjestronin drejtpërdrejt drejtuesit e ekzekutivit dhe dikastereve qeveritare, ndërsa qasja e tyre ndaj përgjegjësisë institucionale ka ndryshuar dukshëm pas ardhjes në pushtet.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: