Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Platforma 'Liria ka Emër' kërkon ndërhyrjen urgjente të Parlamentit Evropian për proceset në Hagë

Redaksia Lajmetereja • 05-11-2026 14:22
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Platforma 'Liria ka Emër' kërkon ndërhyrjen urgjente të Parlamentit Evropian për proceset në Hagë
Platforma qytetare “Liria ka Emër” i është drejtuar zyrtarisht deputetëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, duke ngritur shqetësime të thella lidhur me mënyrën se si po funksionojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Përmes një letre të detajuar, kjo nismë kërkon një vëmendje më të madhe institucionale ndaj standardeve të drejtësisë që po aplikohen në këto procese gjyqësore. Në këtë kërkesë, platforma i propozon Parlamentit Evropian një sërë hapash konkretë, ndër të cilët: organizimin e një dëgjimi të posaçëm parlamentar për të diskutuar gjetjet e raportit të BHRC-së dhe respektimin e të drejtave themelore; kryerjen e një vlerësimi të pavarur ndërkombëtar mbi praktikat institucionale të Speciales; si dhe kërkimin e një raporti specifik nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) mbi transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni. Po ashtu, “Liria ka Emër” bën thirrje për rishikimin e mekanizmave të financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke kërkuar më shumë llogaridhënie nga shtetet kontribuuese. Ata sugjerojnë gjithashtu ndërmarrjen e një nisme parlamentare, siç mund të jetë një rezolutë, për të forcuar monitorimin e pavarur dhe për të garantuar një proces të drejtë gjyqësor. Përfaqësuesit e platformës kanë shprehur vullnetin e tyre për një takim të drejtpërdrejtë me eurodeputetët, me qëllim prezantimin e argumenteve dhe dokumentacionit mbështetës. Në mesazhin e tyre, përfaqësuesit e platformës theksojnë se Kosova nuk e kundërshton drejtësinë ndërkombëtare dhe as përgjegjësinë individuale për krimet, por kundërshtojnë drejtësinë selektive. “Drejtësia nuk mund të jetë e mbyllur ndaj shqyrtimit apo e përjashtuar nga standardet që vetë institucionet ndërkombëtare kanë ndihmuar t’i ndërtojnë”, thuhet në letër. Sipas tyre, legjitimiteti i një procesi gjyqësor varet nga mundësia reale për mbrojtje dhe paanshmëria në shqyrtimin e provave. Duke theksuar se liria e Kosovës nuk mund të gjykohet në bankën e të akuzuarve, platforma bën thirrje që përgjegjësia penale të mbetet individuale, ndërsa drejtësia të jetë universale. Ata presin që Parlamenti Evropian të mos mbetet vetëm vëzhgues pasiv, por të ushtrojë autoritetin e tij për të siguruar që standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të respektohen plotësisht në punën e Dhomave të Specializuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:

Lajmet e Reja, gjithmonë me ty

Ndiq lajmet më të fundit edhe nga aplikacioni në telefon.

Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar