Sport
Skënder Hita nga Shkodra: Policia Alpine, mburojë e domosdoshme për operacionet e kërkim-shpëtimit në male
Reklamë e Sponsorizuar
Kreu i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka ndjekur nga afër stërvitjen e përmasave reale të Policisë Alpine, e cila vepron në kuadër të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Gjatë kësaj vizite të zhvilluar këtë të enjte, ai ka vlerësuar lart përkushtimin dhe aftësitë profesionale të efektivëve të kësaj njësie të specializuar.
Duke vënë theksin te rëndësia e gatishmërisë së lartë, Hita ukërkoi punonjësve të policisë që të vijojnë trajnimet intensive për të qenë gjithmonë pranë turistëve, vizitorëve dhe qytetarëve në çdo moment kritik. Sipas tij, zhvillimi i turizmit malor e ka bërë këtë strukturë më se të domosdoshme për vendin, veçanërisht në zonat e thella të qarkut të Shkodrës.
“Jemi me Njësinë Alpine të Forcave të Sigurisë Kombëtare, këtu në Shkodër. Demonstrimi që ne sapo ndoqëm na bën më entuziastë dhe të fortë për të përballuar çdo situatë të vështirë. Ishte me të vërtetë në kushte reale dhe shumë i arritur nga forcat alpine”, u shpreh Hita gjatë fjalës së tij, duke shtuar se me afrimin e stinës së dimrit, vëmendja do të zhvendoset edhe te menaxhimi i situatave të përmbytjeve dhe rreziqeve për pronën dhe jetën.
Kreu i Policisë së Shtetit garantoi mbështetje të plotë për efektivët alpinë, si në aspektin e burimeve njerëzore, ashtu edhe në përmirësimin e pajisjeve teknike dhe materiale. Ai theksoi se misioni kryesor mbetet garantimi i rendit dhe sigurisë për çdo qytetar, ndaj zgjodhi pikërisht Shkodrën për të përcjellë mesazhin e mbështetjes së pakushtëzuar për trupën.
Nga ana e tij, Shefi i Seksionit të Policisë Alpine, Komisar Ardian Zhuraj, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm dhe raportoi se gjatë kësaj periudhe efektivët kanë ndërhyrë në 23 raste në mbështetje të Emergjencave Civile në mbarë vendin, ku 10 prej tyre kanë qenë operacione të mirëfillta kërkim-shpëtimi.
Ndërkaq, Shefi i Njësisë së Forcës Kombëtare të Sigurisë në Shkodër, Kryekomisar Arben Curri, bëri të qartë se e gjithë trupa është në gadishmëri të plotë. Ai garantoi se efektivët janë të angazhuar jo vetëm në operacionet e sigurisë, por edhe në luftën kundër kultivimit të kanabisit, kapjen e personave në kërkim dhe në mbështetje të strukturave vendore të policisë.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: