Kronikë
Lidhjet e fshehta dhe mesazhet e Ergys Agasit: Si fliste për ‘shoqen e ngushtë’ në krye të Shërbimit Sekret
Reklamë e Sponsorizuar
Zbardhen detaje të reja nga dosja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që lidhet me çështjen e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni. Ajo akuzohet se ka furnizuar me të dhëna konfidenciale shtetasin Ergys Agasi gjatë periudhës që ky i fundit ndodhej në arrati. Vetëm një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së vendosi në mënyrë përfundimtare të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Hysenin.
Sipas dokumentacionit zyrtar hetimor, dosja përfshin një sërë bisedash telefonike të zhvilluara nga Agasi me dy shtetas të huaj nga Izraeli, të identifikuar si Shalev I. dhe Srulik E.K. Në këto komunikime, ai mburrej për lidhjet e tij të ngushta me drejtuesen e lartë të shtetit dhe ndikimin që ajo mund të ushtronte në favor të tij.
Në një prej bisedave të siguruara nga hetuesit, Agasi i drejtohet shtetasit Shalev I. me fjalët: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”. Ndërkohë, në një tjetër bisedë me shtetasin Srulik E.K., ai shprehet se ndërhyrja e saj do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”, citohet në mesazhin e tij.
Organet e drejtësisë vlerësojnë se këto shkëmbime mesazhesh dëshmojnë ekzistencën e mundshme të një rrjeti ndërkombëtar që vepronte në mbështetje të interesave të një grupi kriminal. Sipas gjykatës, ky fakt rrit ndjeshëm rrezikshmërinë që Vlora Hyseni, nëse do të lihej e lirë, të shfrytëzonte kontakte dhe rrugëzgjidhje jashtë çdo lloj kontrolli institucional.
Në dokumentet e gjykatës theksohet se “komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasit me shtetasit me pseudonimet Shalev I., dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese”.
Kujtojmë se më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte bërë publike edhe biseda direkte mes vetë Agasit dhe Hysenit, ku flitej për individë që sipas tyre synonin t'u dëmtonin interesat. Ndaj Vlora Hysenit rëndojnë dy masa sigurie, “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike”, ndërsa ajo dyshohet për kryerjen e veprave penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe zbulimit të akteve sekrete. Ajo u la përfundimisht nën këtë masë sigurie pas vendimit të marrë një ditë më parë nga Apeli i GJKKO-së.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: