Sport
Kriza në sportin kosovar, trajneri master Driton Kuka lëshon alarmin për Lojërat Olimpike 2028
Reklamë e Sponsorizuar
Selektori i Kombëtares së Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka ngritur alarmin përmes një reagimi të ashpër lidhur me gjendjen aktuale dhe të ardhmen e sportit vendor.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, eksperti i njohur i xhudos ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për ngecjen e sportit të Kosovës, duke theksuar se cikli kualifikues për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” tashmë ka hyrë në fazën e tij intensive në arenën ndërkombëtare.
“Sa ka ecur Kosova në sport që nga Lojërat e para Olimpike në të cilat kemi marrë pjesë? Mendimi im është: aspak! Sa sportistë të ndërtuar në Kosovë do të kualifikohen në vitin 2028? Tre-katër nga xhudo dhe një nga boksi! Sportistët e njëjtë apo edhe më pak se në Paris 2024!”, ka shkruar Kuka.
Më tej, ai ka kritikuar praktikën e natyralizimit të sportistëve, duke u shprehur se kjo nuk përbën sukses në punën e federatave, e aq më pak të Komitetit Olimpik të Kosovës apo të dikasterit të sportit, ndërsa ka shtuar se prioritet duhet të jenë rezultatet në gara dhe jo organizimi i tyre.
Kuka ka veçuar rastin e atletit Ramadani dhe talentëve të tjerë premtues, të cilët rrezikojnë të humbasin në nivelin elitar, duke bërë thirrje që kjo të jetë temë e përditshme diskutimi për autoritetet kompetente.
Në fund të reagimit të tij, ai ka ironizuar edhe numrin e madh të zyrtarëve që zakonisht udhëtojnë në ngjarje të tilla, duke kërkuar reagim urgjent: “Kryesorja, kur të vijë koha për ‘LA 2028’, me siguri qindra vetë do të udhëtojnë atje! Sa më parë duhet të krijohet një ekip njerëzish me integritet për të ndërtuar një strategji për sportin e vendit tonë”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: