Sport
Pranim zyrtar nga Komiteti: Penalltia e dhënë për Kylian Mbappé ndaj Racingut ishte vendim i gabuar
Reklamë e Sponsorizuar
Komiteti Teknik i Arbitrave (CTA) ka pranuar këtë të mërkurë se gjyqtari ka gabuar duke akorduar penallti për Kylian Mbappén në ndeshjen mes Racing Santanderit dhe Real Madridit.
Në analizën e publikuar në emisionin “Tiempo de Revisión”, CTA ka konfirmuar se ndërhyrja ndaj sulmuesit francez nuk përbënte shkelje dhe se as VAR-i nuk duhej të lejonte vazhdimin e lojës pa e ftuar gjyqtarin për ta rishikuar rastin.
“Mbappé e kontrollon topin brenda zonës dhe përpiqet të largohet me shpejtësi. Prati e vendos krahun përpara sulmuesit, pa ushtruar asnjë forcë”, thuhet në analizën e CTA-së.
Më pas, komiteti jep edhe verdiktin përfundimtar: “Mungon qartë lidhja shkak-pasojë. Nuk është penallti. Është gabim i qartë dhe i dukshëm i gjyqtarit, ndërsa VAR-i duhej të ndërhynte”.
Ky vendim i gjyqtarit kishte sjellë golin e parë të Real Madridit në fitoren me rezultat 3-0 ndaj Racingut në stadiumin “El Sardinero”.
Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Racingut, José Alberto, kishte shprehur pakënaqësinë e tij të madhe me vendimin e gjyqtarit.
“VAR-i është aty për raste të tilla si penalltia ndaj Mbappés. Prekja e një lojtari nuk përbën asgjë, në futboll ka kontakte. Nuk ka tërheqje, as shtyrje, nuk ka asgjë. Kushdo që merret me futboll do të ketë të njëjtin mendim si unë. Më bën shumë përshtypje që ka kaq shumë persona para monitorit dhe askush nuk kërkon rishikimin e atij rasti”, kishte deklaruar ai.
Ndërkohë, CTA ka analizuar edhe një rast tjetër, atë të golit të Getafes, ku ishte diskutuar për një faull të mundshëm të Andrés Garcías ndaj Manu Buenos para realizimit.
Për këtë rast, komiteti ka vlerësuar se vendimi fillestar i gjyqtarit duhej të mbetej në fuqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: