Kronikë
Gjashtë vite nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së: OVL-UÇK paralajmëron protestë simbolike para zyrës së BE-së
Reklamë e Sponsorizuar
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të ndërmarrin të enjten një aksion simbolik para selisë së Bashkimit Evropian në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie ndaj ecurisë së procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, pikërisht në gjashtëvjetorin e ndalimit të lor.
Gjatë një konference për media, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla, bëri të ditur se tubimi do të nisë në orën 12:00, ku përfaqësuesit e tri organizatave do të adresojnë mesazhe publike për të dëshmuar solidaritetin e plotë me ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Syla theksoj se është kërkuar zyrtarisht nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që kryetarët dhe stafi administrativ i komunave të dalin në të njëjtën kohë para objekteve institucionale, për t'u bashkuar me këtë thirrje solidariteti.
“Në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne veteranët, së bashku me invalidët dhe familjet e dëshmorëve, do të mbajmë një aktivitet simbolik për të shprehur pakënaqësinë tonë ndaj këtij gjykimi në Hagë dhe për të shfaqur mbështetjen e palëkundur për ish-krerët tanë. Aktiviteti do të zhvillohet nesër në orën 12:00 para zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku krerët e tri organizatave do të përcjellin qëndrimet tona. Gjithashtu, i kemi bërë thirrje Asociacionit të Komunave të Kosovës që kryetarët dhe administratat komunale të dalin para ndërtesave të tyre në shenjë pakënaqësie e solidariteti. Besojmë se qëndrimi krah ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesa për drejtësi të mirëfilltë janë thelbësore për kujtesën tonë kolektive”, u shpreh Syla.
Syla u ndal edhe te zhgënjimi i thellë lidhur me kthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se mbeten në pritje të një reflektimi të thellë nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona për kthimin e këtij ligji, çka për ne përbën një zhvillim krejtësisht të papranueshëm. E dini mirë se çfarë kauze u ndërtua për të miratuar atë ligj, e cila tashmë bie poshtë me këtë kthim. Jemi tejet të zhgënjyer dhe presim që ligjvënësit të reflektojnë. Çdo ligj tjetër që mund të pasojë do të jetë më i dobët, ndaj përgjegjësia mbetet mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërkohë që ne mbetemi tejet të pakënaqur me këtë rrjedhë”, shtoi ai.
Duke iu referuar seancës së radhës në Hagë që do të mbahet më 17 nëntor, OVL-UÇK bëri me dije se nuk ushqen asnjë shpresë për një vendim të drejtë, pasi besimi te Gjykata Speciale tashmë ka rënë plotësisht.
“Ne kemi qenë dhe mbetemi kundër. Duke parë se raporti i Dick Marty nuk u përmend asnjëherë në aktakuzë, e kuptuam qartë se kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj. Çfarëdo që prodhon ky institucion dihet se është dashakeq, qoftë edhe nëse do të ketë sërish dënime. Kjo gjykatë nuk synon drejtësinë, ndaj jemi të përgatitur për çdo vendim të padrejtë, pasi nuk i besojmë më”, përfundoi Syla.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: