Kronikë
Ngjarja e rëndë në Gjilan: Dosja e Prokurorisë zbardh detajet rrqethëse të vrasjes së dyfishtë në fshatin Demiraj
Reklamë e Sponsorizuar
Goditje të forta me grushte në kokë dhe trup, përdorimi i një mjeti të rëndë, një litar i shtrënguar rreth qafës dhe njolla të shumta gjaku në shtratin ku u gjet pa shenja jete foshnja. Këto janë disa nga të dhënat tronditëse që dalin nga dosja e Prokurorisë Themelore në Gjilan lidhur me krimin e dyfishtë që tronditi opinionin publik.
Sipas dokumentit hetimor, ngjarja ka ndodhur më 1 nëntor 2026, në periudhën kohore pas orës 00:27 e deri në orët e para të mëngjesit, brenda shtëpisë në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit. I dyshuari Braim Demiri, pas një konflikti fizik me të birin e tij, Adonis Demirin, dyshohet se e ka privuar atë me dashje nga jeta.
Në përshkrimin e dinamikës së krimit, organet e ndjekjes pretendojnë se i dyshuari fillimisht e ka sulmuar Adonisin me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, e më pas e ka goditur me një mjet të fortë në anën e djathtë të kokës, duke e përplasur për tokë. “Me një litar të cilin ia vendos në qafë viktimës dhe sipas shenjave të njëjtin e ngulfat”, thuhet në përshkrimin e dyshimeve në dosjen e Prokurorisë.
Por tragjedia nuk mbaron me kaq. Gjatë kësaj kohe, në të njëjtën ngjarje dyshrohet se ka rënë viktimë edhe foshnja D., e cila u gjet pa shenja jete dhe me shenja të dukshme dhune në shtratin e babait të saj, Adonis Demirit, hapësirë ku u vërejtën gjithashtu njolla gjaku. Prokuroria thekson se viktima Adonis Demiri u gjet me lëndime të rënda në fytyrë, i mbuluar me gjak dhe me një litar të shtrënguar në qafë.
Megjithatë, mënyra e saktë se si janë ekzekutuar dy viktimat mbetet ende e paqartë. Prokuroria njofton se deklaratat e dhëna nga të pandehurit nuk përputhen fare me pamjet e siguruara nga incizimet e kamerave të sigurisë.
“Po ashtu, duhet potencuar se mënyra e saktë e privimit nga jeta të djalit Adonis, por edhe e mbesës së tij D., për momentin është ende e paqartë, pasi ekzistojnë kundërthënie të qarta në mes të deklaratave të të pandehurve dhe incizimeve të kamerave të sigurisë”, theksohet në dosje.
Në këtë procedurë penale, përveç Braim Demirit, e pandehur është edhe H. Demiri, e cila dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë. Versionet e dhëna nga dy të pandehurit bien ndesh hapur me provat materiale të nxjerra nga DVR-ja e siguruar në shtëpinë e Xh. Demirit, vëllait të të dyshuarit.
Këto kontradikta të forta në dëshmi, si dhe lidhjet e ngushta familjare, kanë shërbyer si baza kryesore që Prokuroria t'i kërkojë gjykatës caktimin e masës së paraburgimit. Dosja bën me dije se personat që mund të kenë njohuri direkte mbi këtë ngjarje tragjike janë kryesisht familjarë të të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshorten e tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: