Aktuale
37-vjetori i rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut: Rrëfimi prekës i motrës së heroit për idealet dhe anën njerëzore
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të 37-vjetorit të rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, Sadete Zhitia ka ndarë kujtime dhe reflektime të thella rreth jetës, personalitetit dhe rrugëtimit të vëllait të saj.
Ajo ka theksuar se nderimi për dëshmorët nuk duhet të kufizohet vetëm te dita e flijimit të tyre, por duhet të përfshijë edhe idealet, parimet dhe shtegun që ata ndoqën përgjatë gjithë jetës.
Sipas saj, përvjetorët dhe kujtimi i personaliteteve të shquara duhet të shërbejnë si një moment vetëdijesimi dhe reflektimi për të kaluarën, të tashmen dhe detyrimet tona për të ardhmen.
“Kur i kujtojmë heronjtë, zakonisht flasim vetëm për aktin sublim të rënies së tyre. Por mendoj që shumë më me vlerë dhe rëndësi është të flasim se si shkuan ata, si ishte rruga dhe jeta e tyre deri te ai akt i dhimbshëm, por edhe i rëndësishëm. Andaj, dua të them që kur i kujtojmë heronjtë, reflektojmë shumë se çfarë bëmë dhe si jemi sot. Mendoj që kujtimi dhe nderimi për heronjtë e kanë këtë porosi: çfarë të bëjmë në të ardhmen, në të sotmen, që t’i kujtojmë me dinjitet”, ka deklaruar Zhitia.
Duke evokuar kujtimet familjare, ajo ka treguar se Fahri Fazliun e njohu vetëm përmes veprës së tij heroike, ndërsa për Afrimin ka sjellë në vëmendje anën e tij njerëzore, duke e cilësuar si një njeri të ndjeshëm, i cili ushqente dashuri të madhe për familjen dhe rrethin e ngushtë shoqëror.
Gjithashtu, Zhitia ka veçuar pikëpamjet e avancuara të vëllait të ndjerë lidhur me pozitën e gruas në shoqërinë shqiptare të asaj kohe, duke shtuar se ai përfaqësonte një vizion të gjerë për çlirimin shoqëror dhe njerëzor.
“Fahriun nuk e kam njohur, e njoha vetëm si hero. Kurse Afrimin e kam njohur si njeri dhe ai njeri që ishte atëherë, mendoj që ia vlen t’u them njerëzve sot se, ndër të tjera, ishte ai djalë i ndjeshëm që e donte familjen dhe miqtë. Mbi të gjitha, në këtë situatë të rëndë, dua të them se thoshte: ‘Gruaja është shtylla e shtëpisë, por shtëpia e shqiptarit është shumë e rëndë’. Dhe një nga çështjet kryesore të asaj kohe ka qenë gjendja e gruas shqiptare. Luftën për liri nuk e shihte vetëm si shporrje të armikut, por e shihte si realizim të njeriut, që mund të jetojë i lirë dhe me dinjitet”, ka përfunduar ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: