Politikë
Klekovski bën thirrje për kujdes maksimal: Terapitë inovative për Parkinsonin dhe Alzheimerin kërkojnë protokolle të rrepta profesionale
Reklamë e Sponsorizuar
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka marrë pjesë sot në hapjen e panel-diskutimit me titull „Sëmundja e Parkinsonit dhe sëmundja e Alzheimerit: trajtim më i mirë për një jetë më cilësore“, i cili u organizua në ambientet e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, bëjnë të ditur nga ky dikaster.
Gjatë këtij takimi, ekspertë të fushës së neurologjisë dhe neurokirurgjisë nga Qendra Klinike Universitare e Lubjanës, si dhe nga klinikat universitare të Shkupit, shtjelluan mundësitë e aplikimit të stimulimit të thellë të trurit (DBS) për menaxhimin e sëmundjes së Parkinsonit. Po ashtu, në fokus të bisedimeve ishin edhe terapitë antiamiloide përmes barnave lekanemab dhe donanemab, të cilat aplikohen në fazat e hershme të sëmundjes së Alzheimerit.
Temë bosht e diskutimit ishin edhe kushtet paraprake që duhet të plotësohen për integrimin dhe administrimin e suksesshëm të këtyre mjekimeve moderne në vend.
"Sëmundja e Parkinsonit dhe sëmundja e Alzheimerit nuk janë thjesht diagnoza. Ato përfaqësojnë vite të tëra të jetës së pacientit dhe të familjes që kujdeset për të. Asnjëra prej këtyre terapive nuk është e përshtatshme për të gjithë. Të dyja kërkojnë përzgjedhje të kujdesshme të pacientëve, ekipe të trajnuara, diagnostikim dhe ndjekje afatgjatë. Prandaj, çështja nuk është vetëm nëse duhet të zbatohen, por si të zbatohen: në mënyrë të sigurt, profesionale dhe të qëndrueshme", u shpreh ndër të tjera ministri Klekovski.
Sipas të dhënave zyrtare të shpalosura me këtë rast, në sistemin shëndetësor kombëtar figurojnë të regjistruar rreth 24.000 persona që vuajnë nga demenca, ndërkohë që parashikimet e deritanishme sugjerojnë se deri në vitin 2050 ky shifër rrezikon të trefishohet. Nga ana tjetër, rreth 8.000 qytetarë përballen çdo ditë me sëmundjen e Parkinsonit, pjesa dërrmuese e të cilëve trajtohen dhe mbahen nën kujdes shtëpiak nga vetë familjarët e tyre.
Në fjalën e tij, kreu i Shëndetësisë vuri theksin te gatishmëria e institucionit që ai drejton për të bashkëpunuar ngushtë me komunitetin e mjekëve, duke shprehur pritshmërinë që nga ky simpozium të dalin udhëzime dhe rekomandime të prera mbi mangësitë aktuale, hapat prioritarë dhe kalendarin kohor për zbaktimin e tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: