Politikë
Konfirmohen katër rastet e para me fruth në vend, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për vaksinim urgjent
Reklamë e Sponsorizuar
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në vend janë konfirmuar laboratorikisht katër raste me fruth, ku njëri prej tyre llogaritet si rast i importuar, ndërkohë që epidemi të kësaj sëmundjeje po zhvillohen aktualisht në Kosovë dhe Bullgari.
Sipas vlerësimeve të dala nga Instituti i Shëndetit Publik, rreziku për shfaqjen e vatrave të reja është ngritur, megjithëse për momentin nuk vërehet një shpërndarje më e gjerë në shkallë kombëtare.
"Të gjithë personat e prekur janë të pavaksinuar, ndërsa dy prej tyre janë foshnja, të cilat për shkak të moshës ende nuk kanë mundur të vaksinohen. Shërbimet epidemiologjike po identifikojnë dhe monitorojnë të gjitha kontaktet e personave të prekur. Të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private janë pajisur me protokollin për identifikimin e hershëm, triazhimin dhe izolimin e rasteve. Kopshtet dhe shkollat kanë marrë udhëzime për zbatimin e masave parandaluese", bëjnë të ditur autoritetet.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka theksuar se fruthi përbën një nga sëmundjet me shkallën më të lartë të ngjitjes, por mbrojtja ndaj tij është e mundur përmes aplikimit të dy doza të vaksinës MMR. "I bëj thirrje prindërve që të kontrollojnë kartelat e vaksinimit të fëmijëve të tyre, ndërsa të rriturit që nuk janë të sigurt nëse janë vaksinuar, të konsultohen me mjekun amë. Në këtë mënyrë mbrojmë edhe foshnjat, të cilat janë ende shumë të vogla për t’u vaksinuar“, u shpreh ai.
Në kuadër të masave parandaluese, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të plotësojnë dozat e mangëta të vaksinës MMR pranë pikës më të afërt të vaksinimit. Po ashtu, në rast se shfaqen simptoma si temperaturë e lartë, kollë, skuqje e syve apo puçrra në lëkurë, qytetarët këshillohen të qëndrojnë në shtëpi dhe të kontaktojnë fillimisht mjekun e tyre përmes telefonit, duke shmangur paraqitjen e menjëhershme në dhomat e pritjes.
Gjithashtu, personat që kanë pasur kontakt me ndonjë të infektuar me fruth duhet të lajmërojnë menjëherë mjekun amë ose Qendrën e Shëndetit Publik, ndërsa fëmijët që shfaqin shenja sëmundjeje nuk duhet të dërgohen në asnjë mënyrë në kopshte apo shkolla.
Nga Ministria e Shëndetësisë sigurojnë se dikasteri përkatës, së bashku me Institutin e Shëndetit Publik dhe qendrat rajonale, po e ndjekin situatën me vëmendje të shtuar dhe do të njoftojnë rregullisht opinionin publik për çdo zhvillim të ri epidemiologjik.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: